E Enjte, 5 Nëntor 2026

ITALI – Ministri i Kulturës jep dorëheqjen pas një lidhjeje të dyshimtë

ROMË, 7 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri italian i Kulturës u detyrua të japë dorëheqjen, pasi e dashura e tij pretendoi se i kishte dhënë asaj një punë si këshilltare në qeveri.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Gennaro Sangiuliano falënderoi kryeministren Giorgia Meloni për mbrojtjen që i kishte bërë pasi, fillimisht, nuk e kishte pranuar këtë dorëheqje.

Ministri 62-vjeçar kishte pasur një lidhje me një influencuese të medieve sociale, më shumë se 20 vite më të vogël se ai.

Më 26 gusht, 41-vjeçarja Maria Rosaria Boccia shkroi në Instagram për ta falënderuar për emërimin e saj si këshilltare për evente të mëdha, përfshirë një takim të ministrave të Kulturës të G7-s, të planifikuar për në fund të shtatorit në Pompei.

Ministria e mohoi emërimin dhe Sangiuliano mohoi se e kishte paguar atë me fondet e shtetit.

Më pas influencerja e anashkaluar pretendoi se e kishte shoqëruar ministrin në disa udhëtime zyrtare.

Më pas u raportua se ministri kishte pasur një lidhje me Boccian.

Në një intervistë në programin kryesor të lajmeve të transmetuesit RAI, të mërkurën në mbrëmje, ai e pranoi këtë marrëdhënie dhe i kërkoi falje gruas së tij dhe Melonit, me lot në sy.

Ish-gazetari i televizionit është anëtar i partisë së djathtë të Melonit, ”Fratelli D’Italia” dhe mori detyrën me ndryshimin e qeverisë, në tetor 2022.

Sangiuliano ishte i njohur për një numër gafash, sidomos ajo që sheshi i famshëm ”Times Square” ndodhej në Londër, ndërkohë që ai ndodhet në Nju Jork.

Me sugjerimin e Melonit, presidenti Sergio Mattarella emëroi Alessandro Giuli si ministër të ri të Kulturës.

Ai u betua në pallatin presidencial mbrëmjen e së premtes./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›