RUSI – Shpërthime në Voronezh, pas një sulmi ukrainas me dron

VORONEZH, 7 shtator /ATSH-DPA/ – Autoritetet në rajonin jugperëndimor rus të Voronezhit shpallën një gjendje emergjente sot pas një sulmi ukrainas me dron dhe shpërthimit në Ostrogozhsk.
Guvernatori i Voronezhit, Aleksandr Gusev raportoi në Telegram se disa vendbanime në Ostrogozhsk ishin evakuuar, pas shpërthimeve të shkaktuara nga një objekt me lëndë shpërthyese.
Gusev nuk e identifikoi objektin, por vëzhguesit ukrainas supozuan se ”një depo municioni ishte goditur”.
Sipas Gusev, ”nuk ka pasur viktima dhe shkalla e dëmit nuk është e qartë. Shumica e banorëve kishin gjetur strehim te miqtë dhe të afërmit”.
Voronezh, i cili ndan një kufi me rajonin Luhansk të Ukrainës, është nën sulm të përsëritur nga dronët ukrainas që synojnë depot e karburantit dhe vendet e magazinimit të municioneve, që nga pushtimi rus në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Më vete, mbrojtja ajrore e Ukrainës raportoi rrëzimin e 58 nga 67 dronëve rusë, disa prej të cilëve hynë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë.
Autoritetet bjelloruse kanë raportuar kohët e fundit shkelje të hapësirës së tyre ajrore dhe thanë se ”objektet ishin rrëzuar”.
Parlamenti ukrainas në Kiev publikoi foto që tregojnë pjesë të dronëve të rrëzuar pranë ndërtesës./ a.jor.