E Enjte, 5 Nëntor 2026

ITALI – Senati miraton reformën kushtetuese të qeverisë Meloni

ROMË, 18 qershor /ATSH-DPA/ – Senati italian ka miratuar një reformë të diskutueshme kushtetuese të paraqitur nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni.

Një total prej 109 anëtarësh votuan në favor të reformës, në dhomën më të vogël nga dy dhomat e parlamentit në Romë, dhe 77 kundër.

Reforma ende përballet me disa pengesa të tjera përpara se të bëhet ligj.

Partitë në pushtet festuan pas votimit, ndërsa opozita protestoi dhe mbajti në mënyrë simbolike kopjet e kushtetutës.

Reforma kushtetuese parashikon që në të ardhmen kryeministri do të zgjidhet drejtpërdrejt për pesë vjet dhe koalicionit që mbështet kandidatin fitues do t’i jepen të paktën 55% të vendeve në të dy dhomat e parlamentit për t’u siguruar që të ketë një shumicë të zbatueshme.

109 votat e siguruara në senat ishin shumë larg shumicës së dy të tretave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese në të dy dhomat në Itali.

Gjithashtu nuk pritet të marrë një shumicë të tillë në Dhomën e Deputetëve.

Nëse shumica e dy të tretave nuk sigurohen, masa duhet të hidhet në referendum.

Herën e fundit që u mbajt një referendum i tillë, në vitin 2016, kreu i qeverisë së atëhershme Matteo Renzi humbi votën dhe si rezultat duhej të jepte dorëheqjen.

Qeveria e krahut të djathtë në Romë dëshiron të përdorë reformën për të luftuar paqëndrueshmërinë kronike të qeverive italiane.

Italia ka pasur gjithsej pothuajse 70 qeveri që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa shumë bien dakord se sistemi politik duhet të riparohet, reforma e qeverisë Meloni është kritikuar ashpër nga opozita.

Ata kanë frikë se Meloni mund t’i heqë pushtetet e rëndësishme parlamentit dhe presidentit.

Udhëheqësja e opozitës Elly Schlein tha se reforma do të kthejë përmbys strukturën qeveritare në Itali dhe do të përqendrojë pushtetin në një person të vetëm.

Opozita njoftoi synimin e saj për të ndërmarrë veprime kundër planit./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›