ITALI – Tajani: Po punojmë për një konferencë paqeje me Rusinë

ROMË, 20 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Ne po punojmë për të siguruar që më në fund të mund të kemi një konferencë paqeje të ngjashme me atë që u zhvillua në Zvicër para verës, me praninë e Rusisë, Kinës, Indisë dhe Brazilit, në mënyrë që të mund të vendosim një armëpushim… dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë në harmoni me amerikanët, të cilët janë të vetmit në gjendje të garantojnë sigurinë e Ukrainës, me një forcë ekonomike dhe ushtarake që Evropa nuk e zotëron, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani në një intervistë për mediet e Vatikanit.
“Pa Shtetet e Bashkuara asnjë lojë nuk mund të fitohet, prandaj besoj se duhet të punojmë edhe me administratën e re amerikane për të hapur një kapitull të ri që është ai i armëpushimit, gjë pa të cilën do të thotë humbje e Ukrainës”, theksoi ai.
“Ne italianët e kemi thënë gjithmonë shumë qartë, edhe kur i kemi furnizuar ukrainasit me materiale ushtarake, se jemi për të garantuar pavarësinë e Ukrainës dhe nuk jemi në luftë me Rusinë”, shtoi Tajani.
Zëvendëskryeministri përsëriti se “kemi thënë se armët italiane nuk mund të përdoren në territorin rus, sepse ne nuk duam që ato të përdoren për një ofensivë, por vetëm të përdoren për mbrojtje, për të mbrojtur popullsinë civile ukrainase”.
“Ukraina e di mirë që armët tona nuk mund të përdoren në territorin rus, sepse ne nuk jemi në luftë me Rusinë. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë që në fillim, që është mbrojtja e të drejtave të Ukrainës”, përfundoi ai./ /os/