IZRAEL – Netanyahu: Ka patur progres në marrëveshjen për lirimin e pengjeve në Gazë

JERUSALEM, 23 dhjetor /ATSH-AFP/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha sot ligjvënësve se ishte bërë progres në negociatat për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë.
Fjalimi i tij në parlament vjen dy ditë pasi tre grupe militante palestineze thanë në një deklaratë të përbashkët të rrallë – se një marrëveshje për armëpushim në luftën e Gazës dhe shkëmbimin e të burgosurve ishte “më afër se kurrë”.
Ditët e fundit, negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja u zhvilluan në Doha – duke ringjallur shpresat për një marrëveshje, më shumë se 14 muaj pas luftës në Gazë.
“Gjithçka që po bëjmë nuk mund të zbulohet. Ne po ndërmarrim veprime për t’i rikthyer ata. Ka pasur progres dhe ne nuk do të ndalojmë së vepruari derisa t’i kthejmë të gjithë në shtëpi”, tha Netanyahu në parlament.
Të shtunën, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor i majtë për Çlirimin e Palestinës thanë në një deklaratë të përbashkët se ishte bërë progres për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
“Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje është më afër se kurrë, me kusht që armiku të ndalojë vendosjen e kushteve të reja”, thanë të tre grupet pasi zhvilluan bisedimet në Kajro, një ditë më parë.
Gjatë sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, u rrëmbyen 251 persona, nga të cilët 96 mbeten peng në Gazë – përfshirë 34 presona të tjerë të deklaruar të vdekur nga ushtria. //a.i./