E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Netanyahu kreu vizitë sekrete në EBA gjatë luftës me Iranin

TEL AVIV, 13 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vizituar në fshehtësi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe është takuar me presidentin Mohammed bin Zayed pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit, njoftoi sot zyra e liderit izraelit.

“Kjo vizitë ka çuar në një përparim historik në marrëdhëniet mes Izraelit dhe EBA-së”, tha zyra e kryeministrit në një deklaratë. Nuk u dhanë detaje të tjera.

Tashmë ka pasur raporte për vizita të mëparshme sekrete të Netanyahut në shtetin e Gjirit dhe telefonata zyrtare mes të dy palëve.

Sistemi “Kupola e Hekurt” i Izraelit u përdor në Emirate

Ambasadori amerikan në Izrael konfirmoi dje se sistemi izraelit i mbrojtjes raketore “Kupola e Hekurt” u përdor në EBA gjatë luftës me Iranin, gjatë së cilës Teherani sulmoi shtetet e Gjirit, aleate të SHBA-së.

“Izraeli dërgoi bateri të sistemit “Kupola e Hekurt” si dhe ushtarë që ndihmuan në përdorimin e tyre”, tha ambasadori Mike Huckabee në një konferencë në Universitetin e Tel Avivit.

Pas Izraelit, EBA u godit më rëndë nga sulmet iraniane me raketa dhe dronë, sipas “think tank-ut” izraelit INSS.

Presidenti amerikan, Donald Trump nisi të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit në vitin 2020 gjatë mandatit të tij të parë, duke bërë që EBA, Bahreini, Maroku dhe Sudani të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Naftali Bennett, i cili ishte atëherë kryeministër, vizitoi zyrtarisht Emiratet në vitin 2021, duke u bërë kryeministri i parë izraelit që e ndërmerrte këtë hap. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›