Rama: Asnjë plan për mbyllje mediesh, problemi i portaleve online mosregjistrimi

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste me botuesin dhe gazetarin e “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, në 35-vjetorin e themelimit të gazetës, foli në lidhje me rregullimin e medieve online, duke u ndalur te çështja e portaleve si dhe transparenca e administrimit të tyre.
Rama përmendi draftin e mëparshëm për rregullimin e medieve online, ku theksoi se janë hasur me kundërshtime në Bruksel, por që sipas tij sot BE vet po kërkon të bëjë më shumë se aq.
“Ne kemi bërë një draft atëhere. Dhe na e bllokuan në Bruksel. Na thanë stop, ndërkohë që sot në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian po merren me të njëjtën temë edhe po kërkojnë të bëjnë dhe më shumë se aq”, tha Rama.
Rama kundërshtoi idenë se shteti po synon kontrollin e medieve, duke theksuar se qeveria nuk ka pasur asnjë plan për mbyllje mediesh.
“S’ka qenë fare aty në draft që mbyll qeveria. Draftin e kemi konsultuar me OSBE-në për një kohë të gjatë pastaj dhe nuk kam më nerva të merrem. Le të shkruajnë çfarë të duan. E kam unë gabim”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se liria e medieve nuk duhet të shoqërohet me mungesë përgjegjësie kur ka përfitime financiare.
“Problemi tek portalet ka qenë dhe mbetet ai që thua ti, domethënë anonimiteti në kuptimin e mosregjistrimit. Ti mund të jesh anonim për sa kohë nuk merr reklama. Po nuk more reklama, rri anonim, bëj portal, bëj çfarë të duash. Momentin kur ti merr reklamë, pra ti fiton lekë me atë portal, ti je edhe gjobaxhi apo jo? Për të marrë reklamën i bën, i krijon probleme. E di sa njerëz, sa njerëz kanë qenë që më kanë shkruar nga biznesi në atë kohë që “aman mos e lër, aman mos e lër”. Thashë unë “po këta çfarë kanë”. Dhe në fakt ata të gjithë paguajnë, paguajnë nën dorë gjoba për të qenë rehat”, u shpreh Rama.
“Po janë shumë se ne jemi mësuar të na sulmojnë, nuk na bën përshtypje. Po njerëzit, njeriu ka biznes. Më nxjerr titullin “mos e bli qumështin e atij se ka probleme”, edhe e hodhi në erë biznesin”, tha Rama.
Gjatë intervistës, Lesi e pyeti Ramën edhe në lidhje me debatin me deputeten Elisa Spiropali. Sipas tij shprehjet dhe deklaratat e Spiropalit nuk duhet të merren fjalë për fjalë dhe janë të pranueshme për aq kohë sa nuk shkelin vijën e kuqe politike.
“Jo, jo, nuk duhen marrë literalisht këto gjëra. Janë krejt normale për sa kohë nuk prekin atë vijën e kuqe”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur pyetjes së mundësisë për përjashtimin e Spiropalit, Rama u shpreh “çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë dhe herën e dytë, e treta pastaj e ndan”.
/m.q/j.p/r.e/