IZRAEL – Rubio: Hamasi duhet të çrrënjoset

TEL AVIV, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se grupi islamik palestinez Hamas nuk duhet të mbetet forca qeverisëse në Rripin e Gazës.
Rubio e tha sot këtë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Për sa kohë që Hamasi qëndron si një forcë që mund të qeverisë ose administrojë ose një forcë që mund të kërcënojë me përdorimin e dhunës, paqja bëhet e pamundur”, tha Rubio, duke theksuar edhe se Hamasi duhet të shkatërrohet.
Duke folur pas takimit të tyre në Jerusalem, Netanyahu dhe Rubio përsëritën se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë ose zotërojë armë bërthamore dhe akuzuan Teheranin për nxitje të destabilitetit.
”Pas çdo grupi terrorist, pas çdo akti dhune, pas çdo aktiviteti destabilizues, pas çdo gjëje që kërcënon paqen dhe stabilitetin për miliona njerëz që e quajnë këtë rajon shtëpi, është Irani”, tha Rubio.
Ata gjithashtu bënë thirrje për çarmatimin e milicisë libaneze Hezbollah.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu theksoi se Izraeli ishte i përkushtuar ndaj armëpushimit të vazhdueshëm në Liban.
Rubio vlerësoi presidentin amerikan Donald Trump për “guximin” e tij në propozimin e një plani për të ardhmen e Rripit të Gazës që shkonte përtej “ideve të lodhura” të së kaluarës.
Trump kohët e fundit shkaktoi zemërim në mesin e kombeve arabe dhe grupeve të të drejtave duke propozuar zhvendosjen e përhershme të rreth dy milionë banorëve të Gazës në shtetet arabe dhe transformimin e zonës së shkatërruar bregdetare në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Netanyahu tha se po punonte në “bashkëpunim të plotë” me Trump për një “strategji të përbashkët”, duke shtuar se Trump është “miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.
Para udhëtimit të tij, Rubio u kishte bërë thirrje shteteve arabe që të paraqesin propozimet e tyre në lidhje me të ardhmen e Rripit të Gazës./ a.jor.