E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Noka me shqiptarët në Hamburg: Fuqia e ndryshimit qëndron në duart tuaja

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka zhvilloi sot një takim me shqiptarët në Hamburg të Gjermanisë.

“Ne jemi të bindur pafundësisht se, fuqia e ndryshimit të Shqipërisë qëndron në duart tuaja dhe se vota juaj do t’i japë një shans transformimit të atdheut tonë të dashur”, iu drejtua Noka bashkatdhetarëve në Hamburg.

“Është fat i madh për Shqipërinë dhe për shqiptarët që, më në fund ju do ushtroni të drejtën e votës dhe me votën tuaj të mundësoni të sillni dritën në errësirën 12 vjeçare që solli Rama dhe e pllakosën në vendin tonë. Ju me votën tuaj, do të impononi të mirën për të cilën ka nevojë jetike ai vend”, tha Noka.

Noka u shpreh se, “në programin e PD do ta gjejë veten çdo shqiptar, do ta gjejë veten pensionisti, gjimnazisti, studenti, mjeku, artisti, arsimtari, profesionisti i lirë, fermeri dhe peshkatari, i papuni dhe i vetëpunësuari. Ne kemi një paketë emergjence që do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Ne kemi vendosur që Shqipëria të ketë një minimum jetik prej 200 eurosh për të papunin, për pensionistin, apo për atë me ndihmë ekonomike”.

“Detyra është e qeverisë që të përballojë shpenzimet e familjes dhe familjarëve tuaj, dhe jo e juaja. Nuk do të ketë në Shqipëri kur të qeveriset nga PD dhe Sali Berisha rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do të ketë rrogë mesatare nën 1200 euro”, theksoi Noka.

“Ne, do të rikthejmë fuqishëm subvencionet në bujqësi që fermeri shqiptar të mos ndihet i braktisur, që fermeri shqiptar të mos ndihet i vjedhur siç ndihet sot”, u shpreh ai.

Noka shtoi se, “Qeveria e Sali Berishës dhe e PD do të rikthejë taksën e sheshtë, një taksë që sjell zhvillim dhe mirëqenie për ekonominë dhe familjet shqiptare, për familjet tuaja në atdheun tonë”.

“Qeveria e PD pas 11 majit do të vendosë kartën e konsumatorit që do t’i rimbursojë çdo familjari, të gjitha shpenzimet që paguan për tvsh-në e shportës. Qeveria e PD, do jetë një qeverisje për të gjithë shqiptarët”, theksoi ai.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›