E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Sirenat përkujtojnë gjashtë milionë viktimat e Holokaustit

TEL AVIV, 14 prill /ATSH-DPA/ – Jeta publike në mbarë Izraelin u ndal sot për pak çaste, ndërsa vendi mbajti dy minuta heshtje për të përkujtuar gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit.

Makina dhe këmbësorë ndaluan për të shënuar Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, e njohur në Izrael si “Yom HaShoah”.

Në nivel ndërkombëtar, kjo ditë përkujtohet më 27 janar.

Këtë vit, dita e kujtesës po zhvillohet nën hijen e luftës në Lindjen e Mesme, e nisur nga Izraeli dhe SHBA në fund të shkurtit.

Ndërsa aktualisht është në fuqi një armëpushim dyjavor mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj Libanit në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme me milicinë Hezbollah, e mbështetur nga Irani.

Nuk është raportuar për sulme izraelite në Bejrut që nga e enjtja, por ushtria izraelite bëri të ditur dje se ka vazhduar të godasë objektiva të Hezbollahut në zona të tjera, ku thuhet se janë vrarë mbi 100 luftëtarë në jug të Libanit.

Pas një vale sulmesh izraelite ndaj kryeqytetit libanez javën e kaluar, që lanë qindra të vdekur, presidenti amerikan Donald Trump thuhet se i ka bërë presion kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të kufizuar sulmet.

Në nisje të ceremonive përkujtimore në memorialin e Holokaustit “Yad Vashem” mbrëmjen e djeshme, presidenti izraelit Isaac Herzog theksoi se Izraeli është në luftë që prej sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

Herzog paralajmëroi gjithashtu për një rritje globale të antisemitizmit, duke u bërë thirrje liderëve botërorë të ndërmarrin veprime të guximshme për ta luftuar atë.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Netanyahu akuzoi sërish Iranin se synon shkatërrimin e Izraelit.

Ai përsëriti se nuk do të ketë një Holokaust të dytë dhe se Iranit nuk do t’i lejohet të sigurojë armë bërthamore.

Rreth gjashtë milionë hebrenj u vranë nga regjimi nazist i Gjermanisë midis viteve 1933 dhe 1945, në një gjenocid që njihet sot si Holokausti.

Sipas autoriteteve vendase, rreth 109 000 të mbijetuar të Holokaustit jetojnë ende në Izrael, me një moshë mesatare prej 88 vjeç./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›