E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra: Integrimi në tregun e BE-së kërkon përgatitje të menjëhershme

Tiranë, 14 prill/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Arben Shkodra, theksoi sot në panelin “Diaspora Partner në Biznes dhe Inovacion”, pjesë e Samitit të Diasporës, se Bashkimi Evropian (BE) paraqet mundësi të mëdha për biznesin shqiptar, por gjithashtu është një treg shumë i rregulluar dhe i vështirë për të hyrë.

Ai theksoi se për të përballuar këtë sfidë, bizneset shqiptare duhet të fillojnë përgatitjen menjëherë për t’u bërë konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

Sipas Shkodrës, për biznesin shqiptar, integrimi në tregun e BE-së nuk është një proces i lehtë, për shkak të rregullave dhe standardeve të larta që kërkohen, por është një mundësi që kërkon planifikim të kujdesshëm dhe përgatitje të vazhdueshme.

Ai shtoi se duhet të fillohet menjëherë me krijimin e një programi përgatitor për bizneset, që të mund të përmbushin kërkesat e tregut dhe të bëhen pjesë e tij pa vështirësi.

“Për biznesin shqiptar do të jetë e vështirë. Biznesi shqiptar do të ketë vështirësi nëse nuk fillon përgatitjen sot. Ne kemi kohë që po punojmë për një program të përgatitjes së biznesit. Ky duhet të ishte një plan kombëtar, që përfshin të gjithë aktorët për siguruar një informim të plotë mbi tregun dhe për të përgatitur ndërmarrjet tona për të qenë konkurruese”, u shpreh Shkodra.

Ai gjithashtu theksoi se sfida e parë është informacioni, pasi për t’u integruar në tregjet ndërkombëtare, është e rëndësishme të njohim standardet dhe aktorët e tregut.
Shkodra bëri thirrje për partneritet të ngushtë me diasporën shqiptare, që të mund të njohim më shpejt dhe më lehtë mundësitë që ofron ky treg dhe të përgatitemi për të konkurruar në mënyrë të suksesshme.

“Sfida e dytë është rrjetëzimi. Ne duhet të identifikojmë dhe të lidhim forcat me diasporën tonë ekonomike. Ky partneritet është kyç për të njohur më mirë mundësitë e tregjeve dhe për të përgatitur bizneset tona për konkurrencën ndërkombëtare”, tha Shkodra.

Ai shtoi gjithashtu se nuk duhet të flasim vetëm për integrimin në BE, por edhe për integrimin në tregun global, ku Shqipëria duhet të krijojë lidhje dhe partneritete me tregje të tjera jashtë Europës.

Në këtë kuadër, Shkodra theksoi rëndësinë e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes bizneseve shqiptare dhe diasporës, për të siguruar që bizneset shqiptare të kenë mundësinë të futen në tregje të reja dhe të zhvillohen në përputhje me kërkesat ndërkombëtare.

“Pa dyshim, ne kemi nevojë të kemi një regjistër të diasporës ekonomike pasi pa këtë regjistër është e pamundur të rrjetëzohemi. Pasi e kemi të rëndësishëm rrjetëzimin fillimisht me njëri-tjetrin, dhe më pas me tregje si ato gjermane, skandinave, amerikane e të tjera. Duhet të kemi një identifikim të qartë dhe një plan konkret pune që të mos shkojmë më tej pa kontaktuar me më shumë se një herë në muaj. Kjo do të krijojë mundësi për kontrata, marrëveshje dhe histori suksesi”, theksoi Shkodra.

Për më tepër, ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për më shumë produkte “Made in Albania” që të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, krijimi i mundësive për përgatitjen e biznesit shqiptar për tregjet botërore është një hap kyç për zhvillimin ekonomik të vendit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›