E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

IZRAEL – Sulme të reja me dronë nga Libani

TEL AVIV/BEJRUT, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite tha sot se ka shkatërruar sërish dronët e nisur nga milicia e Hezbollahut në Liban.

Dy nga mjetet ajrore pa pilot të ngarkuara me eksploziv u rrëzuan mbi rajonin verior të Galilesë rreth një orë larg njëri-tjetrit.

Një alarm ajror u aktivizua për shkak të rrezikut të rënies së mbeturinave.

”Sirenat u dëgjuan gjithashtu në jug të largët pranë Eilat kur një raketë fluturoi drejt Izraelit nga lindja, por nuk arriti hapësirën ajrore izraelite”, tha ushtria.

Përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë milicitë pro iraniane në Irak.

Milicia shiite libaneze Hezbollah pretendoi se kishte sulmuar një kazermë izraelite në zonën Ramim pranë qytetit Manara në veri të vendit.

Fillimisht nuk kishte asnjë informacion nga pala izraelite.

Konflikti aktual midis Izraelit dhe Hezbollahut filloi më 8 tetor të vitit të kaluar me sulmet me raketa nga milicia libaneze në mbështetje të Hamasit, e cila kishte shkaktuar luftën në Gaza me sulmin e saj të paprecedentë ndaj Izraelit një ditë më parë.

Hezbollahu thotë se ka sulmuar Izraelin në mbështetje të lëvizjes islamike palestineze Hamas, e cila masakroi 1 200 njerëz në Izrael më 7 tetor 2023, duke shkaktuar luftën në Gaza.

Izraeli nga ana e tij u përgjigj me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore në Liban. Më shumë se 3 000 njerëz janë vrarë në Liban deri më tani, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

Kjo vjen si shtesë e sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza, ndërsa ai kërkon të eliminojë Hamasin, duke vrarë më shumë se 43,000 njerëz deri më tani, sipas autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›