E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ia ka vlejtur"



Disidenti i dikurshëm polak, Lech Walesa, rrëfen

Zhvillimet e vitit 1989 në Poloni paraqesin fillimin e një ere të re në Evropë. Zgjedhjet e para të lira në qershor të këtij viti, fitorja e befasishme e opozitës dhe emërimi i Tadeush Mazovjeckit si kryeministër i parë jo komunist në këtë vend, sinjalizuan fillimin e ndryshimeve të mëdha të sistemit komunist në Evropën Lindore, para rënies së murit të Berlinit. Por rruga e Polonisë në demokraci kishte filluar dhjetë vjet më parë në Dancing, ku filluan ndryshimet e udhëhequra nga sindikatat Solidarnost dhe Leh Valensa.

Fillimin e të tatëpjetës së komunizmit në Evropë e shënoi themelimi i Solidarnostit, sindikatës së parë të pavarur në bllokun lindor. Lech Walesa, udhëheqësi i kësaj sindikate dhe grevave më të mëdha në historinë e bllokut lindor, më vonë President i Polonisë, hedh një vështrim pas.

“Në vitin 1980 ia dolëm t'i bashkojmë të gjitha grupet sociale në Poloni, madje me mbështetje dhe solidaritet edhe nga bota e jashtme. Komunistëve mund t'u thoshim: keni gënjyer gjithmonë, sepse ne jemi shumicë dhe ne nuk ju duam më! Pas kësaj goditjeje, ata më nuk mund të vepronin. Ishte kjo fitorja e parë e masave kundër komunizmit. Ata më nuk mund të bashkoheshin dhe të vepronin me sukses si në të kaluarën. Fitorja e dytë e madhe në atë kohë ishte lëvizja e parë e pavarur partiake në bllokun lindor. Ishte kjo një fitore 2:0 për ne.

Lech Wałęsa dhe rreth 80 për qind e polakëve janë të bindur se udhëtimi i parë i pelegrinazhit të Papa Gjon Palit të Dytë në vitin 1979 ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në themelimin e Solidarnostit dhe rrëzimit të sistemit komunist.

“Ati i shenjtë ishte mbështetja jonë, ai na ka dhuruar shpresa të reja dhe vlera për themelimin e Solidarnostit. Kjo na dhuroi fitore të tjera".

As vendosja e gjendjes së luftës në Poloni më 13 dhjetor 1981 dhe internimi njëvjeçar i Lech Wałęsës nuk e shpëtuan komunizmin.

“Gjatë arrestimit u kam thënë se ne jemi fitues. Për ju komunistët kjo është gozhda e fundit në arkivol. Kam qenë i sigurt se një lëvizje kaq e fuqishme nuk mund të ndalet. Ishte vetëm çështje kohe. Ne u detyruam t'i përballojnë disa goditje, por asnjë sekondë nuk kam dyshuar në fitoren tonë".

Kjo bindje u forcua dhe me çmimin “Nobel” për paqe, që Lech Wałęsa fitoi në vitin 1983. Çmimin e morën gruaja dhe djali i tij në Stokholm, sepse Walesa nuk donte të largohej nga Polonia.

“Kam qenë i sigurt se lëvizja, në krye të së cilës isha unë, dikur do të nderohet me çmimin “Nobel” për paqe. Kjo ndodhi në vitin 1983, që është mirë, sepse më 1982 do të ishte tepër herët. Në vitin 1983 punët nuk ishin tepër mirë, ndërkohë që çmimi “Nobel” na dha një fuqi të re për të vazhduar drejt fitores.

Kur qeveria e Jaruzelskit tregoi gatishmëri për lëshime në vitin 1988, Walesa kërkoi ndërprerjen e protestave dhe fillimin e negociatave.

“Unë kam besuar vetëm një gjë dhe për këtë kam luftuar: nuk ka liri pa Solidarnostin. Kam dashur që lëvizja sërish të fuqizohet dhe të luftojë për rrëzimin e komunizmit. Natyrisht që kam bërë edhe kompromise, pa të cilat nuk do të shkonte.

Pushtetmbajtësit e kishin kuptuar se nuk mund të bëhet asnjë lëvizje me injorimin e sindikatës Solidarnost dhe Wałęsës.

“Tryeza e rrumbullakët ishte, sipas mendimit tim, një mistifikim. Komunistët e kanë ditur se cilat janë dobësitë tona. E kanë ditur se as ata nuk janë të fortë, por ishin më të fortë se ne. Prandaj mendoj se e kanë zgjedhur variantin e sigurt me 35% të vendeve në Parlament. Kishin planifikuar që disa prej nesh t'i kryejnë punët e tyre dhe që komunizmi të mbijetojë. Në anën tjetër mendoja se ne duhet të marrim atë, që na ofrohet dhe kështu filloi e gjitha.

Sot 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit, Walesa nuk ka asnjë fije dyshimi se ia ka vlejtur të luftohet, pa marrë parasysh pasojat.

“Ia ka vlejtur. Po të filloja sërish nga e para, do të bëja të njëjtat gjëra. Kam besuar se polakët gjatë jetës sime do të jenë një popull i lirë dhe se do të fitojmë ato, që gjenerata më parë kanë ëndërruar, se do të lirohemi nga sovjetët dhe skllavëria. Të gjitha këto u bënë realitet, ndërsa unë kam pasur një rol të rëndësishëm. Mund të jem shumë i lumtur për këto zhvillime dhe fitoren, që shënuam".

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›