E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, financim për investimet në transport dhe logjistikë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi sot se programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, është një skemë financimi që synon të mbështesë bizneset për investime në sektorët e transportit dhe logjistikës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ibrahimaj u bëri thirrje sipërmarrësve të përfitojnë nga mundësitë e financimit që ofron programi, me synim zgjerimin dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Programi parashikon një normë interesi preferenciale prej 2-3%, ndërsa sipërmarrjet mund të përfitojnë edhe nga garancia sovrane deri në 70% të financimit.

Një tjetër element i skemës është periudha e maturimit, e cila mund të shkojë deri në 24 muaj, duke u dhënë bizneseve mundësi për të planifikuar investimet dhe kthimin e financimit.

“Investo sot për të dyfishuar sipërmarrjen tënde”, shprehet Ibrahimaj, duke nënvizuar potencialin e programit për të krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e bizneseve në fushën e transportit dhe logjistikës.

Aplikimi për përfitimin e financimit mund të bëhet pranë bankave pjesëmarrëse në program. Ministrja u bëri thirrje sipërmarrësve që të informohen pranë institucioneve financiare pjesëmarrëse dhe të aplikojnë për të përfituar nga kushtet e favorshme të skemës.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›