E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Edukimi passhkollor, çelësi për kreativitetin dhe zhvillimin e të rinjve

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj mori pjesë sot në konferencën “Edukimi Passhkollor në Shqipëri – Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës”.

Në panelin  “Politikat Kombëtare për Edukimin Passhkollor dhe Zhvillimin Gjithëpërfshirës” me pjesëmarrjen e ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhe si dhe ministrit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Ibrahimaj tha se “kjo nismë e qeverisë shqiptare është mbështetur fuqimisht që në ide nga Kryeministri Edi Rama dhe besoj fort që është brenda objektivave të katërvjeçarit të ministres Kumbaro”.

“Brenda fushës sime të përgjegjësisë është edhe arsimi profesional. Ne si qeveri prej vitesh po e promovojmë me qëllim që t’i japim mundësinë çdo të riu dhe të reje që ka talent për një profesion  të veçantë të përqendrohet aty që në krye të herës dhe të karrierës së vet”, nënvizoi Ibrahimaj.

Ibrahimaj u shpreh se si ministre mbulon arsimin profesional por edhe inovacionin dhe në zbatim të politikave të qeverisë shqiptare edhe startup-te, të rinjtë dhe të rejat me idetë më të mira të cilat mund të komercializohen dhe mund të krijojnë biznese të reja.

Pa diskutim, vijoi Ibrahimaj, në këto vite që kam mbuluar këtë fushë kam parë të rinj e të reja shumë të talentuar të cilët kryesisht nuk janë ekspertë të një fushe të caktuar, por janë njerëz që kanë një kreativitet ekstra, kanë një qasje tjetër ndaj shkencave, teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit.

Sipas Ibrahimajt, në epokën në të cilën ne po jetojmë nuk të duhet vetëm një njohuri teknike, por është një epokë në të cilën duhet të jesh i formuar 360 gradë.

“Njerëzit, të cilët gjatë karrierës së tyre akademike kanë edhe përqendrim në fusha të tjera jashtë fushës së tyre teknike janë njerëz që arrijnë të krijojnë ide që nuk ekzistojnë. Programet që po diskutohen sot i japin fëmijëve një dimensionin të gjerë dhe japin një mundësi më shumë për të pasur kreativitet qoftë për të krijuar një ide të re, por edhe për tu qasur një profesioni të zakonshëm në mënyrë më kreative”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj shprehu mbështetjen për programin, pasi si u shpreh ajo, u jep fëmijëve që në nisje një pikë plus në mënyrë se si i qasen jetës dhe profesionit të tyre.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›