Ibrahimaj: Presim që shumë shpejt fondet IPARD të hapen

TIRANË, 7 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së sotme të qeverisë, iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me ecurinë e Kapitullit XX që lidhet me sipërmarrjen dhe politikat industriale në procesin e integrimit europian.
E pyetur nëse ka dijeni mbi vendimmarrjen e një dite më parë të mbledhjes së grupit të punës së zgjerimit (COELA) në Bruksel, Ibrahimaj u shpreh se mbledhjet e COELA-s zhvillohen me dyer të mbyllura.
“Ka një arsye pse janë të tilla. Ne jemi shpresëplotë që Kapitulli XX, për të cilin ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet që kishim në kuadër të procesit të integrimit europian do të mbyllet shumë shpejt. Ka një arsye pse mbledhjet janë me dyer të mbyllura, por shpresa jonë është që shumë shpejt ai kapitull do të mbyllet”, shtoi Ibrahimaj.
E pyetur mbi zhbllokimin e fondeve IPARD, Ibrahimaj theksoi se presim finalizimin e procedurave për riakreditimin.
“Kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar sipas dy procedurave të Bashkimit Europian, por është në fazat finale të tij. Ne presim që shumë shpejt fondet do të hapen. Ndërkohë që sigurisht që është një fond shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në të gjithë zhvillimin e bujqësisë në vend, ndaj dhe ka angazhim maksimal nga të dyja palët që ky fond të hapet. Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka pasur problematika me IPARD dhe sigurisht që ato tashmë janë të zgjidhura”, shtoi Ibrahimaj.
/a.f/r.e/