E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Respektimi i të drejtave të autorit mbështet inovacionin dhe një treg të drejtë

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi sot rëndësinë e respektimit të të drejtave të autorit, duke e cilësuar atë si një detyrim ligjor, por edhe një garanci për mbështetjen e krijimtarisë, inovacionit dhe konkurrencës së ndershme në treg.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimaj u shpreh se gjatë sezonit veror qytetarët shijojnë muzikë, filma, libra, fotografi dhe aplikacione, ndërsa pas secilës prej këtyre veprave qëndron puna dhe përkushtimi i krijuesve.

“Pas çdo kënge, libri, fotografie, filmi, dizajni apo programi kompjuterik që ne shijojmë, qëndron puna, talenti dhe përkushtimi i një krijuesi”, u shpreh ministrja.

Ajo rikujtoi se shkelje e të drejtave të autorit përbën çdo përdorim, kopjim, riprodhim, shpërndarje, publikim apo vënie në dispozicion e një vepre të mbrojtur pa lejen e autorit ose të mbajtësit të të drejtave, kur një leje e tillë kërkohet nga ligji.

Sipas Ibrahimajt, operatorët ekonomikë që ofrojnë vepra të mbrojtura nga e drejta e autorit kanë detyrimin të pajisen me autorizimin përkatës.

“Respektimi i të drejtave të autorit nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një mënyrë për të vlerësuar punën krijuese, për të mbështetur inovacionin dhe për të nxitur një treg të drejtë e konkurrues”, theksoi ajo.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut mbikëqyr zbatimin e legjislacionit në fushën e pronësisë intelektuale, duke kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe mbajtësve të të drejtave, si edhe në ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe operatorëve ekonomikë për rëndësinë e respektimit të tyre.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›