Kompleksi sportiv në Lungomaren e Vlorës, pikë referimi për qytetarët

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Kompleksi sportiv publik në Lungomaren e Vlorës vijon të jetë një nga hapësirat më të frekuentuara nga qytetarët dhe vizitorët, duke ofruar ambiente moderne për aktivitete sportive dhe rekreative buzë detit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot ne rrjetet sociale pamje nga ky kompleks, i cili përfshin fusha multifunksionale për futboll, basketboll dhe tenis, si dhe kënde fitnesi në natyrë.
Kompleksi është pjesë e projektit të transformimit të Lungomares, i cili synoi krijimin e hapësirave publike për sport, shëtitje dhe argëtim përgjatë vijës bregdetare të Vlorës.
Krahas fushave sportive, zona ofron edhe shëtitore, ambiente pushimi dhe ndriçim modern, duke e bërë atë funksionale edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
Hapësira sportive është kthyer në një pikë të rëndësishme për promovimin e aktiviteteve fizike në qytet dhe një nga destinacionet më të frekuentuara të Lungomares, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
/m.m/a.f/