Ibrahimaj: Rritja e ekonomike për 3 mujorin e parë të 2023, 2.72%! Ndjeshëm më e lartë se mesatarja e vendeve të BE
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka bërë me dije se rritja ekonomike në vend për tre mujorin e parë të vitit 2023 ishte 2.72%.
Në një konferencë për mediat mediat mbi treguesit kryesorë të ecurisë së ekonomisë së vendit, Ibrahimaj tha se rritja ekonomike ishte më e lartë se ajo e regjistruar në Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, por shtoi se Kosova dhe Mali i Zi kanë performuar më mirë.
Në krahasim me mesataren e rritjes së vendeve të BE që ishte 1%, Ministrja theksoi se rritja ekonomike e vendit tonë është ndjeshëm më e lartë .
Po ashtu Ibrahimaj shtoi se të dhënat e të ardhurave të qarkullimit kanë shënuar një rritje në të gjithë sektorët , ku bujqësia, pyjet dhe peshkimi reflektuan një rritje prej 0.04%.
“Sipas të dhënave të INSTAT rritja ekonomike në vend rezultoi 2.72% për tremujorin e parë të 2023. Rritja ishte në mesataren e rritjes së vendeve të rajonit, ndërsa rritja ishte më e lartë se Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi performuan në një nivel më të lartë. Në krahasim me vendet e BE, rritja rezultoi ndjeshëm më e lartë pasi mesatarja e rritjes në vendet e BE ishte 1%. Sa i përket PBB kemi patur një rritje të shpërndarë me bazë te gjerë. Të dhënat e të ardhurave të qarkullimit kanë shënuar një rritje në të gjithë sektorët. Bujqësia, pyjet dhe peshkimi reflektuan një rritje 0.04% të ndikuar pozitivisht nga aktiviteti i bujqësisë dhe blegtorisë dhe më pozitivisht nga aktiviteti i peshkimit që u rrit me 11%. Eksportet bujqësore gjatë 2022 dhe pjesën e parë të 2023 kanë rezultuar me një rritje 7.6% në vëllim dhe 16.8% në vlerë”, tha Ministrja.
Ndalur te turizmi, Ibrahimaj tha se 5 mujori i parë i vitit 2023 regjistroi një rritje prej 7.2% që, sipas Ministres, është performanca më e lartë historike. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë është rritur me 42%, rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar.
“Të dhënat e turizmit tregojnë se ka pasur një rritje me 7.2%. Sa i takon 5 mujorit të parë, tregon për një ecuri mjaft pozitive për vitin 2023. Ka qenë me performancën më të lartë historike. Në 5 mujorin e parë numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është rritur me 42%, rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar. Turizmi ka filluar të jetë një dukuri e shpërndarë gjatë gjithë vitit”, u shpreh Ibrahimaj.
/rtsh.al/