Ibrahimoviç vazhdon me shuplaka

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç më herët gjatë kësaj jave u dënua me tri ndeshje moslojë në Serie A për shkak të shuplakës që ia dha mbrojtësit të Napolit, Salvatore Aronica në përballjen e tyre të dielën në San Siro.
Por, sipas mbrojtësit të Juventusit, Giorgio Chiellini, suedezi ka bërë një gjest të ngjashëm edhe në përfundim të takimit të mbrëmshëm në San Siro, në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Coppa Italia duke goditur portierin e Bianconerëve, Marco Storari.
Dhe, sipas një videoje që qarkullon në internet ai ka plotësisht të drejtë. “Ajo që ndodhi në përfundim të takimit ishte e ngjashëm me gjestin e Zlatanit të dielën. Ne ishim duke diskutuar kurse ai goditi Storarin” deklaroi Chiellini pas ndeshjes. Juventus e fitoi takimin 2-1.