E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitzfeld, ‘mësit’ për Shaqirin

Xherdan Shaqiri është futbollist i ri i Bayernit. Futbollisti shqiptar do të jetë pjesë e gjigantit bavarez nga vera e këtij viti deri më 2016. Njëri prej personave kritik që ua këshilloi 20 vjeçarin gjermanëve ishte selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld. Ky i fundit e vlerëson lart talentin e gjilanasit, për të cilin thotë se mund të luajë në secilin klub të madh evropian.

Xherdan Shaqiri të martën pasdite i ka kryer me sukses vizitat mjekësore në Bayern Munich. Mjeku i klubit Wohlfahrt Muller, i njohur si 'Mull', e ka dhënë dritën e gjelbër për transferimin e mesfushorit kosovar te gjiganti bavarez, pasi e kontrolloi në detaje.

Më pas, 20 vjeçari së bashku më menaxherin, njëkohësisht vëllanë e tij Erdin Shaqiri dhe këshilltarin Wolfgang Vogel, janë takuar me bosat e Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge e Uli Hoeness, për t'i diskutuar edhe detajet finale të kontratës.

Sipas medieve gjermane dhe atyre zvicerane, transferimi do të realizohet shumë shpejt dhe Shaqiri do të nënshkruajë kontratë, e cila do të vlejë nga 1 korriku i këtij viti deri më 30 qershor të vitit 2016.

Edhe me Baselin, me të cilin futbollisti ka kontratë deri në vitin 2014, Bayerni e ka arritur marrëveshjen. Kampioni zviceran pritet t'i përfitojë 9 milionë euro, plus 2-3 nga bonuset që do të varen nga sukseset e klubit dhe paraqitjet e lojtarit.

Njëri prej njerëzve që ia ka propozuar Bayernit futbollistin gjilanas ishte selektori aktual i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, dikur trajner i bavarezëve. "Ky veprim e ka një sens. I kam thënë Uli Hoenessit para një viti që Xherdani është një lojtar i shkëlqyeshëm, një person i adaptueshëm, i cili mund të luajë gjithmonë në një klub të madh", deklaroi trajneri gjerman.

Në Bavari, Shaqiri shihet si alternativë e mesfushorëve të krahut Arjen Robben e Frank Ribery. Mirëpo, përfaqësuesi zviceran mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë ofanziv, nëse ndonjëherë paraqitet nevoja.

Fink: Shaqiri duhet t'i humb 3-4 kilogramë

Ish trajneri i baselit, Thorsten Fink, e di shumë mirë se çka do ta ndihmonte Xherdan Shaqirin që të ketë sukses në Bayern. "Shaqiri ka kualitet të pamohueshëm dhe natyrisht mund të përmirësohet edhe më shumë", tha fillimisht trajneri aktual i Hamburgut.

- "Mirëpo, duhet të dobësohet. Mendoj se ai duhet t'i humb 3-4 kilogramë, jo vetëm të masës muskulore. Këtë ia kam kujtuar edhe në kohën kur isha në Basel", shtoi Fink. Sipas ueb faqes zyrtare të Baselit, 'Shaq Attack' është i gjatë 1,69 metra dhe peshon 72 kilogramë.

44 vjeçari është i bindur se ish lojtari i tij do të jetë i dashur në Gjermani, respektivisht në Munich. "Ai më duket sikur Lizarazu. Mendoj se do të jetë i pëlqyeri i publikut, kjo është e sigurt. Ai ka një karakter që duket si një hero i Breshkave Ningja", përfundoi Fink.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›