E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ide për shkëmbim territoresh

Diplomacia serbe duket e gatshme për të pranuar shkëmbimin e Luginës së Preshevës me Veriun e Kosovës.

Ndonëse Vuk Jeremic gjatë vizitës së fundit në Washington ka përsëritur vazhdimisht se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur të Kosovës, me dyer të mbyllura ai është angazhuar për gatishmërinë për kompromis dhe për çdo rezultat, i cili realisht do të ishte në interes të paqes në Ballkan.

Kështu shkruan në numrin e së hënës gazeta beogradase, “Danas”.

Sipas gazetës, ky variant është dëgjuar në Washington me të madhe edhe në pritjen ditë më parë me rastin e Dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e cila ishte shumë më e vizituar sesa që ishte rasti me pritjen me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Gazeta shkruan se kjo zgjidhje mund të merrte rrugë në një “Dejton për Kosovën”.

Me ndarjen, si të tillë, mbase edhe nuk do të ketë pasoja të rënda politike për ata të cilëve u është imponuar, shkruan në komentin e tij korrespondent i gazetës “Danas” nga Washingtoni, me titull “Një Dejton i ri për ndarjen e Kosovës”.

Por, idetë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë janë hedhur poshtë në Prishtinë dhe nga diplomatë perëndimorë të akredituar në Kryeqytetin serb.

“Çdo ide që nënkupton rivizatimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve është e keqe dhe nuk e ka përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Stephen Wordsworth, për mediat serbe.

Ai ka vënë në dukje se është shumë me rëndësi të formohet Këshilli Nacional Kombëtar, si një hap drejt demokratizimit të shoqërisë.

“Çdoherë kur e kam vizituar këtë pjesë të vendit, tri vitet e shkuara, dilte dikush që përmendte ndryshimin e kufijve”, ka thënë diplomati britanik.

Në lidhje me planet për integrimin e veriut të Kosovës, të cilin e kundërshtojnë serbët dhe Beogradi, Wordsworth ka thënë se serbët të cilët jetojnë në Kosovë me të drejtë kërkojnë të njëjtat gjëra, sikurse njerëzit e tjerë kudo që jetojnë.

“Ky është një pushtet funksional lokal, gjyqe legjitime dhe kjo është një situatë normale”, ka thënë Wordsworth, i cili konsideron se pikërisht këtë dëshirojnë ta arrijnë edhe Qeveria në Kosovë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë për bisedime të reja rreth statusit të Kosovës.

Ndryshe, Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi i ka quajtur spekulative deklaratat se Serbia ka kërkuar nga SHBA-ja që të bëhet një plan i ri, në mënyrë që të shkëmbehen territoret e Veriut të Mitrovicës me Luginën e Preshevës.

Krasniqi i bëri këto deklarata të hënën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku i pyetur nga gazetarët, ai pohoi se këto janë çështje spekulative.

“Duhet ta kemi të qartë që këto janë çështje spekulative, të cilat i dëgjojmë herë pas here, por që qëndrimi është i qartë edhe i partnerëve tanë ndërkombëtar, edhe i shteteve, i Grupit të Kontaktit më herët dhe i të gjitha forcave, apo të themi fuqive të mëdha, në radhë të parë edhe i institucioneve të Kosovës dhe i qytetarëve se nuk mund të bëhet fjalë për asnjë ndryshim të territoreve dhe nuk mund të bëhet fjalë as për asnjë ndarje të Kosovës asnjëherë”, ka thënë Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.

Ditë më parë, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se mund të diskutohet për shkëmbim territoresh, çka hasi në reagime të shumta nga zyrtarët e tjerë të lartë kosovarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›