E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu e Thaçi në Slloveni nën siglën “UNMIK/Kosovo”

Është gjetur mënyra që edhe Beogradi, edhe Prishtina, të mund të marrin pjesë në Konferencën për Ballkanin që mbahet këtë muaj, në Bërdo në Sllovenisë, shkruan sot e përditshmja e Beogradit “Danas”.

Gazeta citon burime, sipas të cilave Sejdiu dhe Thaçi kanë pranuar emrin e vendit "UNMIK/Kosovo", që ka qenë një nga kushtet e Serbisë për të marrë pjesë në këtë konferencë.

Në materialet për punë të konferencës rajonale BE - Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 20 mars në Bërdo afër Kranjit, do të vihet në dukje se Kosova do të marrë pjesë me emrin “UNMIK/Kosovo”, kurse në tavolina para pjesëmarrësve do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin e mbiemrin e tyre, pa u përmendur shteti.

Sllovenia do të ftojë nga Kosova edhe përfaqësuesit e Prishtinës, edhe të UNMIK-ut, i ka deklaruar “Danas”-it e ngarkuara me punë në Ambasadën e Sllovenisë në Beograd, Jadranka Shturm – Kocjan.

Konferenca do të organizohet sipas mënyrës së deritashme të thirrjes së mbledhjeve joformale të BE-së. Organizatorët do të ftojnë në cilësinë e pjesëmarrësve zyrtarët më të lartë të institucioneve të Prishtinës dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut. “Në materialet për konferencë duhet të jetë qartë e theksuar se Kosova prezantohet me emrin ‘UNMIK/Kosovo’, kurse para pjesëmarrësve në tavolina do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin dhe mbiemrin, pa u përmendur shteti nga vijnë. Po ashtu, sa i përket Kosovës, fillimisht do t’i jepet fjala përfaqësuesit të UNMIK-ut, e pastaj përfaqësuesit të institucioneve të Kosovës”, citohet të ketë thënë Shturm – Kocjan.

Kjo gazetë pohon të ketë informacione nga burime në BE se presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi kanë pranuar që me këto kushte të marrin pjesë në konferencë.

Ambasadorët e Sllovenisë e të Kroacisë në Prishtinë, dy vendet të cilat në bashkëpunim me Këshillin e BE-së organizojnë konferencën në Bçërdo afër Kranjit, kanë biseduar me Sejdiun e Thaçin dhe ua kanë prezantuar formatin e mbledhjes së paraparë, dhe ata kanë pranuar.

Në konferencë do të duhej të merrnin pjesë edhe Sejdiu, edhe Thaçi, citon kjo gazetë bashkëbiseduesit nga Brukseli.

Kabineti i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, nuk ka mundur t’i komentojë këto informata, meqë sipas gazetës ftesa zyrtare për këtë mbledhje ende nuk ka arritur në Beograd.

Tadiq kohë më parë u ka thënë gazetarëve se Serbia nuk ka asgjë kundër pjesëmarrjes së Prishtinës në tubimet ndërkombëtare, nëse ajo prezantohet si “UNMIK/Kosovo”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›