E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identiteti, Zogu dhe "zogjtë"

Ishte e natyrshme të përcillej me njëlloj ndjeshmërie vendosja e një shtatoreje të Ahmet Zogut në Burrel. (pas gati 20 vitesh nga ndërrimi i regjimit dhe përqafimi i ekonomisë së tregut.)


Qytetarëve shqiptarë, por edhe politikanëve, gjithsesi, u jepet mundësia të meditojnë edhe njëherë për një nga periudhat më të vështira të historisë së tyre; njëherësh, për një nga figurat më interesante që e kanë drejtuar Shqipërinë. Ndaj tij ka ende shumë kritika dhe rezerva.


Edhe Berisha e priti dikur me këmbët e para pretendentin e fronit, për shkak se mund t'i rrezikonte pushtetin. (Tani, në sajtin e qeverisë mund të lexosh që Kryeministri Berisha ka vlerësuar se me këtë shtatore "vendoset në piedestalin që e meriton njëri prej burrave të shquar të kombit shqiptar, arkitekti dhe themeluesi i shtetit modern të shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë".) (!)


Sidoqoftë, duke u sjellë rreth një shtatoreje, fundja ne të gjithë kemi rastin të meditojmë në lidhje me moskuptimet dhe shtrembërimet, sa i takon identitetit tonë.


Ne në Shqipëri nuk dimë ose nuk duam të krijojmë mite; po them më mirë, shembuj. Duket sikur jemi trembur nga ata që në të kaluarën e deformuan (kjo është një fjalë e butë) kuptimin e nderimit për një figurë madhore, që do të duhej të rrezatonte vlera dhe të të inspironte. Kam qenë përpara disa javësh në Korçë dhe, midis të tjerave kam kërkuar një shenjë të shkrimtarit dhe patriotit Mihal Grameno.


M'u duk se nuk e gjeta. Po në këtë qytet ka lindur piktori i madh shqiptar Vangjush Mio. Por nëse nuk e di këtë fakt, nuk e mëson dot. Nuk ke se si. Mungon shenja. Filozofia dhe dizajni i identitetit të trashëgimisë kombëtare janë një enigmë për ne.


Disa gjëra të thjeshta, por të vlershme, e kemi të vështirë t'i bëjmë. Drejtues të shoqatës "Devolli" më kanë thënë se po përpiqen të ngrenë shtëpinë muze të Dritëro Agollit në Menkulas. Jemi po në atë temë.


Ec e gjej kund në Korçë ndonjë shenjë të "mbretit" të realizmit socialist; dhe jo vetëm. Kohët e fundit, po vërejmë se ka pak a shumë një qëndrim mospërfillës edhe ndaj një legjende si Petro Marko.


Le ta zgjerojmë pak temën. Një turist ose një udhëtar, që vjen te ne, për pushime a rastësisht, duhet të kuptojë ç'është ky vend. Bie fjala, kur ti je në Kavajë, nuk kupton asgjë nga e kaluara ose nga ajo me të cilën mund të mburret ky qytet. Kështu, po nuk e dite, as nuk e mëson dot se në këtë qytet ka lindur një nga legjendat e teatrit evropian, Aleksandër Moisiu.


Kam qenë disa herë në Shkodër. Është një nga emblemat e këtij vendi. Ka prodhuar në shekuj vlera dhe histori. Kohët e fundit, infrastruktura e qytetit ka njohur përmirësime të ndjeshme. Ajo që dua të nënvizoj, vjen gjithë në të njëjtën linjë.


Përpiqu të bësh një lidhje midis Shkodrës e Veriut në përgjithësi dhe Gjergj Fishtës, një nga figurat e mëdha të kulturës shqiptare; sërish, edhe këtu, nuk e gjen kund emrin, portretin, një shenjë që të tregojë më shumë se sa një imazh dyqankash, që edhe ato kanë vlerën e tyre.


Tani, sado e largët e pavend qoftë analogjia, mund ta përfytyroni Salzburgun pa ikonën e vet, Moxartin? Gjer edhe në kutitë e bonboneve, gjendet portreti i muzikantit të madh. Kurse ne e kemi kaq të vështirë të prekim të vërtetat e identitetit tonë; për më tepër, i jepemi më lehtë se çdo gjëje, mohimit dhe "riekzekutimit".


Kohë më parë, në "Shekulli" jam shprehur për mendjelehtësinë, me të cilën e trajtojmë trashëgiminë tonë. Disa radhë më lart, fola për Shkodrën. Të gjithë e dimë që monumenti i Heronjve të Vigut, u hoq nga qendra e qytetit për t'u dergjur diku pranë varrezave dhe, për më keq, anës plehrave.


Në po këtë sfond, në shkrimin që përmenda më lart, nënvizoja se na mungojnë relike e kujtime që do të duhej të ishin, bie fjala; karroca që çoi Ismail Qemalin në Vlorë, automobili që priti Nikita Hrushovin apo Çu En Lai-n etj.


Kujtoja gjithashtu se si në një mbledhje përkujtimore, në vend të dokumentarit për "Kongresin e Lushnjës", ishte shfaqur...një video dasme.


Meditimi është i lirë. Kujtesa përbën përgjegjësi. Qoftë edhe në këtë sens, "zogjtë" nuk mund të mjaftohen duke e duartrokitur Zogun, ndërkohë që janë kujdesur tejet për lavdinë e tyre të pamerituar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›