Identiteti kulturor kosovar është europian dhe kozmopolitan (2)
Gjergj Fishta, “Homeri shqiptar”, poeti, eseisti dhe esteti gjigant ishte i vetëdijshëm se prodhimtaria kulturore dhe artistike ndër shqiptarët është “angari”. Krijimtaria shpirtërore as nuk e edukon dhe as nuk e ndërgjegjëson politikën shqiptare, sepse vijnë e shkojnë varganë politikanësh pak a shumë analfabetë – siç shprehet Atë Fishta – që bëhen bashkë me hamaj, bakaj, teneqexhi, terzi, kumarxhi, vagabondë, rrugaçë, “tue kërcënue me dhambë e tmallë” duke e mposhtur popullin dhe secilën ide kreative që lind në gjirin e tij. Këtë mospërfillje të politikës ndaj vlerave të krijimtarisë shpirtërore Fishta, sikur të shkruante sot, e shpalos me vargjet: “Shqiptar, këtë kangë vet e kam shkrue, po m’thuej ça kam fitue? Idhnim e t’çame krejet; Me t’ba me dalun fejet! Por s’asht për t’u çuditun (…) Kryekungujt vehen t’parë; Vaj halli! Për këngëtarë…”
Kosova si entitet shtetëror (shoqëri politike) i përket basenit kulturor shqiptar, por që për arsye historike ky basen kulturor ka krijuar edhe të veçantat identitare.
Madje në disa aspekte, shoqëria kosovare ka pasur zhvillime diversive kulturore.
Mirëpo tek me liberalizmin e Titos (vitet ’70) bashkëpunimi i Kosovës me Tiranën zyrtare pati marr hov, posaçërisht në sferën e gjuhës, letërsisë, muzikës, filmit, dramës dhe arteve figurative. Ndonëse Tirana bashkëjetonte me kulturën etatiste, të mbështetur fort në bazën ideologjike të Partisë Komuniste dhe kjo kulmoi me doktrinën zyrtare të realizmit socialist, Prishtina kulturore e këtyre viteve, së këndejmi ishte më e hapur dhe frymonte me rrjedhat kulturore të hapësirës së ish-Jugosllavisë dhe më gjerë me arealin kulturor euro-amerikan, sidomos në trendët e reja muzikore si rocku, beat kultura etj. derisa pjesa më e madhe e letërsisë perëndimore ishte e ndaluar zyrtarisht në Shqipëri.
Rënia e komunizmit stalinist në Shqipëri dhe rënia e komunizmit në Jugosllavi, mundësuan që gjatë viteve ’90 të dy krahët e basenit kulturor shqiptar të shkëmbenin ato pak vlera kulturore mes tyre. Kështu po niste një rinjohje.
Madje marrëveshjet e para mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës (shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës) për bashkëpunim kulturor ishin nënshkruar që në vitin 1992.
Mirëpo këto marrëveshje asnjëherë nuk rezultuan në lidhje të qenësishme të institucioneve kulturore të te dyja vendeve, pos disa manifestimeve të zbehta kulturore.
Kultura shqiptare gjatë periudhës së fundit është zhvilluar në mënyrë totalisht disparate në të dy qendrat: Tiranë dhe Prishtinë.
Këto zhvillime të izoluara dhe këto dallime thelbësore kanë bërë që edhe komunikimi i tyre të jetë specifik. Arsyen duhet kërkuar në modelet e ndryshme kulturore që kanë funksionuar në këto dy hapësira kulturore: Shqipëria, siç theksuam më lart, kultivoi një model kulturor me një koncept etatist, ku çdo gjë nga fusha e artit trajtohej si instrument ineologjik, kurse në Kosovë ndodhi e kundërta, kultura ishte që herët e liruar nga doktrina shtetërore e real-socializmit, por ku shquhet entropia e energjive krijuese dhe shfaqja e një idealizmi abstrakt në raport me shtetin amë.
Te modeli i parë mbizotëron koncepti revolucionar, rudimente të të cilit sot kemi këtu në Kosovë, që ka konvertuar në superioritet të rremë, karakteristik për mendësinë revolucionare.
Në kulturën kosovare mbizotëron sindroma e një inferioriteti që për pasojë ka inflacionin e kuadrit diletantesk që propagandon shkencën dhe kulturën e ideologjizuar, e posaçërisht historinë e interpretuar ideologjikisht, sidomos në institucionet universitare, që për detyrë ka ti kundërvihet kuadrit autokton që për një kohë ishte konsoliduar si formacion i inteligjencies. Sot të dy modelet kulturore vegjetojnë në llumin e tyre burimor:
E para në real-socin dhe filozofinë dhe estetikën revolucionare, kurse e dyta në moçalin e provincializmit që ka sjellë kuadrin e ri arrivist nga provinca e që pranon tutorinë e realsocit burimor, të importuar nga kuadrot partiake nga Tirana.
Nëse dikush ndërkaq, ta zëmë ndonjë misionar turbo-patriotik – kur flitet për shkëmbimet kulturore Kosovë-Shqipëri, kupton, ato modelet e “shkëmbimeve kulturore” të fundviteve të ’70-ta dhe të fillim viteve të ’80-ta, atëherë aso shkëmbimesh më kurrë sdo të ketë!
Thjesht, ngase ka vdekë kaherë motori i tij – shteti ideologjik.
Shteti ideologjik ishte i mbarësuar me misione të tilla të shpërndarjes së imazheve e ideologjive të caktuara, në rend të parë socializmit real e përmes tij edhe të nacionalizmit romantik.
Përndryshe, sdo të ngjante fakti që sot, nTiranë, e dëgjojnë me qejf, ta zëmë, Goran Bregoviqin dhe mbushet Pallati i Kongreseve, edhe po tjetë bileta 25 euro!
Kultura andej dhe këndej së pari duhet ti nënshtrohet një procesi të revalorizimit e që mund të bëhet duke u hapur një dialog i brendshëm mes elitave kulturore dhe politike.
Kultura andej dhe këndej duhet të integrohet së brendshmi, të ndërtohet një sistem aksiologjik i qëndrueshëm ku do të kenë vend si tradita, ashtu edhe bashkëkohësia, kurse brenda këtij sistemi do të përfshihen vlerat integrale e gjithë kulturës dhe artit shqip.
Përfaqësimi i autorëve dhe veprave, fjala vjen, në tekstet mësimore të gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet të jetë proporcional, sikundër edhe kur është fjala për hartimin e repertorëve vjetorë të teatrove kombëtare, apo dy filarmonive, galerive kombëtare etj.
Pas kësaj duhet të vijë komunikimi-unifikimi (jo etatist) i dy qendrave kulturore përmes një interkomunikimi permanent (të gjitha vlerat janë të debatueshme) e jo vetëm përmes politikave të caktuara që mund të hartojnë qatipat e ministrive gjegjëse.
Roli i mekanizmave shtetërorë duhet vështruar në planin legjislativ, domethënë hartimi i ligjeve nga sfera e kulturës që do të stimulojnë këmbimin e vlerave përmes politikave fiskale lehtësuese.
Në Kosovën e viteve ’90-ta duke qenë se sistemi vleror komunist ra, në hapësirën boshe nuk mundi të krijohej dhe të etablohej sistem i ri vleror, sepse rrethanat politike nën pushtimin serb e zmbrapsen kulturën në ‘anderground’, derisa e rrudhën atë në videoprodhimtari pa kritere artistike.
Ndërkaq që, pas luftës në Kosovë, rrjedhat kulturore u rikthyen prapa, sipas trendëve muzikorë të turbo-folkut serb, me Ceca Veliçkovic
