Idrizi: PDIU, parti e të gjithë shqiptarëve

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka deklaruar se është parti e të gjithë shqiptarëve dhe është për bashkimin kombëtar. Duke folur në mbledhjen e Këshillit kombëtar të PDIU-së, Idrizi theksoi se çështja çame është futur në rrugë ligjore.
“Sot kemi bërë arritje të rëndësishme për çamërinë. PDIU-ja nuk është marrë vetëm me çështjen e çamëve por ajo është parti që lufton për bashkimin kombëtar si detyrim kushtetues. Kemi arritur të bëjmë që gjithkush të flasë për Çamërinë. Shumë e ndërrojnë kombësinë nga snobizmi, apo nevojat ekonomike. Ne shqiptarët e çamërisë nuk e mohuam gjakun, gjuhën, por me sakrifica e afirmuam atë fuqishëm ” ka theksuar Idrizi.
Sipas tij, për të gjithë skeptikët apo të stimuluarit u provua se banderolat në bulevardin kryesor të Tiranës nuk ishin zbukurim estetik, por dëshmi që sot për çështjen çame nuk ka më tabu. “Dikur një shfaqje e tillë nuk imagjinohej, por PDIU me atë forcë kartonësh që ka e imponoi një shfaqje aq impresionuese. Cështja came nuk është vetëm cështje e PDIU, por kjo parti nuk ëhstë vetëm e një krahine, por e të gjithë shqiptarëve, pasi mes nesh ishin Albin Kurti e Fatmir Limaj, shqiponja i kishte të dy krahët”- tha ai.
Ai ka theksuar më tej se PDIU ka qënë aktive në bllokimin e marrëveshjeve anti-kombëtare siç është ajo e ujrave me Greqinë dhe për bllokimin e censusit. “PDIU-ja ka qënë pjesë aktive edhe në proceset politike që përshpejtojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian duke qënë pjesë e zgjedhjes së presidnetit si dhe ka firmosur edhe nismën për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë” shtoi më tej Idrizi.
Idrizi i ka bërë apel qeverisë t`i kërkojë sqarime Greqisë për marrëveshjen e kufirit detar. “Ju e dini që ministri i tyre ka thënë se Greqia do e injorojë vendimin e Kushtetueses, kjo të do të thotë që Greqia të shfrytëzojë burimet tona natyrore. Shteti shqiptar duhet të reagojë me forcë ndaj kësaj deklarate qoftë edhe duke e dërguar cështjen në instanca më të larta” shtoi Idrizi.