Igli Tafa prezantohet në krye të AKSHI-t

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ – Igli Tafa u prezantua sot në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në aktivitetin ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Tafa e cilësoi drejtimin e AKSHI-t një përgjegjësi të jashtëzakonshme, duke theksuar rolin e institucionit në modernizimin dhe transformimin digjital të vendit.
Ai vlerësoi punën e deritanishme të stafit të AKSHI-t, duke e cilësuar atë si forcën reale që ka bërë të mundur avancimin e shërbimeve digjitale në vend.
Tafa u shpreh se do të vijojë puna për zhvillimin e e-Albania 2.0 dhe përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale, me synimin për të ofruar shërbime më të shpejta dhe më cilësore për qytetarët dhe bizneset.
/e.i/r.e/