Ibrahimaj: AKSHI në qendër të transformimit digjital, prioritet “e-Albania 2.0” dhe modernizimi i prokurimeve

TIRANË, 17 shkurt /ATSh/ – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, prezantuan drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj vuri theksin te roli strategjik i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në transformimin digjital të vendit, duke e cilësuar institucionin si shtyllën kryesore të qeverisjes elektronike në Shqipëri dhe një histori suksesi në ofrimin e shërbimeve publike online.
“AKSHI përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme për qeverisjen moderne. Arritjet në digjitalizimin e shërbimeve publike janë një krenari për vendin tonë dhe një dëshmi e kapaciteteve profesionale të stafit. Shqipëria sot renditet ndër vendet me nivel të avancuar të ofrimit të shërbimeve elektronike, falë një pune të qëndrueshme dhe vizioni afatgjatë”, u shpreh ministrja.
Duke u ndalur te prioritetet për periudhën në vijim, ajo theksoi se objektivat për vitin 2026 janë ambicioze dhe kërkojnë vijimësi të ritmit të lartë të punës. Fokus i veçantë do të jetë zhvillimi i platformës “e-Albania 2.0”, me shtrirje të plotë edhe në pushtetin vendor, si dhe ofrimi i shërbimeve proaktive të bazuara në ngjarje jetësore, me qëllim reduktimin e procedurave dhe lehtësimin e aksesit për qytetarët dhe bizneset.
Një tjetër prioritet madhor mbetet modernizimi i portalit të prokurimeve publike, si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, efikasitetit dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se transformimi digjital nuk është vetëm një proces teknologjik, por një reformë thelbësore që rrit cilësinë e shërbimeve, ul kostot administrative dhe forcon besimin e qytetarëve te institucionet.
/a.f/r.e/