Ikën Agimi... nuk ia doli dot

Tiranë, 28 Mars NOA - Agim Qirjaqi nuk ia doli dot. Ai nuk ka mundur të përballojë sëmundjen e tij. Aktori i njohur ka vdekur sot, në moshën 59-vjeçare. U shua në një kohë që kishte edhe shumë mundësi për ti dhënë artit shqiptar.
Gjithkush që e ka parë në muajt e fundit ka pasur trishtimin e madh të gjendjes së tij. Ai ishte shtruar në spital, ku pas ekzaminimeve të vazhdueshme, mjekët konstatuan se aktori vuante edhe nga tumori në kocka. Po ashtu, edhe veshkat ishin rënduar së tepërmi nga azotemia.
Agim Qirjaqi u lind në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar. Ai interpretoi me sukses në filmin Rrugë të bardha, Lulëkuqet mbi mure etj. Me këtë të film ai fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977.
Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik Dorina (1980). Ai jepte mjeshtërinë e aktorit në Akademinë e Arteve, përvojë e cila u shërbeu shumë brazave të aktorëve të rinj. Më 1989 bën një trajnim 2 vjeçar pranë Giorgio Strehler në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ai vendos me studentët e tije dhe Rikardi III të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me Fando e Lis të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin Aleksandër Moisiu në Festivalin e vitit 1994, Marrëzia e madhështisë të Vangjel Kozma, Këngëtarja tullace të Ioneskos dhe mbaron me Armiku i popullit të Ibsenit. Ndërkohë përktheu edhe Fando e Lis dhe Këngëtarja tullace e Ionescos. Ai ka qenë bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fiton titullin Asistent Profesor. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.
m.s/e.r/NOA Shkruajini autores: \n This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it