E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilion Lika rehabilitohet në MaqedoniPlanet kanë qenë që ai të shërohet në Belgjikë, por për arsye të dokumenteve erdhi në Maqedoni. Menaxherët ia preferuan Shkupin

RESHAT IBRAHIMI (Shkup, 10 maj)– Portieri shqiptar i skuadrës ruse Terek nga Grozni, Ilion Lika, ka tre javë që gjendet në Maqedoni. Do të qëndrojë edhe për dy javë të tjera dhe pastaj do të kthehet në Rusi, për t’iu bashkuar skuadrës së tij. “Para tre muajve, në një stërvitje, kam dëmtuar tendinën e akilit (thembrën) të këmbës së djathtë dhe prej atij momenti i kam munguar ekipit. Planet kanë qenë të shërohem në Belgjikë, por për arsye të dokumenteve erdha në Maqedoni. Këtë vend ma preferuan menaxherët e mi”, e nis rrëfimin Lika, i cili me kënaqësi pranoi të japë një intervistë ekskluzive për “Lajm”.

LAJM: Si po ndiheni pas tre javë terapie?
Lika: Jam shumë më mirë. Kam filluar të bëjë stërvitje të lehta me fitnes. U bënë tre javë që jam në Maqedoni, më kanë mbetur edhe dy të tjera. Shpresoj se në skuadër do të kthehem në fillim të qershorit. Edhe me klubin jam në kontakte të vazhdueshme. Ata në çdo moment interesohen për gjendjen time shëndetësore.

LAJM: Në Rusi ka nisur kampionati. Cilat janë objektivat e skuadrës suaj dhe kush janë favoritët për titull?
Lika: Ne patëm një start të mirë, por disi në vazhdim kemi stagnuar. Objektivi ynë është të kapim një vend që çon në Kupën UEFA, edhe pse kjo është e vështirë të arrihet. Ndërkohë, sa i përket ekipeve që pretendojnë titullin, dua të veçoj CSKA-në e Moskës, e cila mendoj se do të fitoj kampionatin.

LAJM: Edhe sa te Grozni?
Lika: Ky është viti i fundit (2 vjet), por me që të dyja palët jemi të kënaqura ka shumë mundësi të rinovoj edhe për dy vite të tjera.

LAJM: Liga e Rusisë është e fortë?
Lika: Është një nga kampionatet më cilësore në Evropë. Me vet faktin që Rusia e zuri vendin e tretë në Europianin e fundit, tregon se për çfarë kampionati bëhet fjalë. Pastaj, janë disa klube si, CSKA, Zenit, Lokomotiv e të tjerë që njihen si skuadra shumë të forta në Evropë.

LAJM: Derisa po qëndroni në Maqedoni keni ndjekur ndonjë ndeshje?
Lika: Kam ndjekur dy ndeshje: Milano – Vardari (Kampionat) dhe Shkëndija – Rabotniçki (Kupë). Kampionati i Maqedonisë është nën nivelin mesatar, hiç disa individ. Them se është më i dobët se kampionati shqiptar. Skuadrat mu duken të papërgatitura fizikisht, në krahasim me futbollin shqiptar. Në Shqipëri luhet futboll më i shpejt dhe ekipet janë më të përgatitura fizikisht.

LAJM: Dhe në fund, kur do të kthehesh në Kombëtare?
Lika: Shpresoj se shumë shpejt. Fillimisht pres të shërohem e pastaj do të kthehem në ekipin kombëtar.

Në Maqedoni shoqërohet me Zendelin
 
Ilion Lika gjatë qëndrimit në Shkup thuajse çdo ditë është në shoqëri me ish-portierin e Besës, Suat Zendeli. Këta të dy ishin sa bashku edhe gjatë kohës që ne po zhvillonim intervistën. Nuk qëndruam shumë, sepse ishte e premte dhe Lika e Zendeli nguteshin për në xhami për të falur namazin e xhumasë.

E Diele, 10 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›