Ilir Meta: Koalicioni PD-LSI, asnjë rrezik
Kreu i LSI-së ka takuar strukturat partiake në degën e Tiranës duke kërkuar mobilizim të saj për zgjedhjet lokale
Për të gjithë ata që kanë fërkuar duart nga debatet PD-LSI për ligjin e SHISH-it nuk do të ketë shumë për të gëzuar, pasi Ilir Meta ka garantuar dje se nuk i kërcënohet asnjë rrezik koalicionit qeverisës. Ai e ka parë këtë qëndrim të fundit vetëm si një tregues të diferencave partiake që e karakterizojnë programin e LSI-së nga ai i PD-së. Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka pasur koalicioni qeverisës i LSI-së me PD-në. Natyrisht, në një periudhë e cila është e shoqëruar nga një qëndrim destruktiv i lidershipit të opozitës. Të gjitha arritjet e kësaj qeverisjeje kanë qenë evidente. Raportet tona kanë qenë dhe do të jenë shumë konstruktive dhe në këtë drejtim, LSI, duke i qëndruar shumë korrekte marrëveshjes së nënshkruar midis dy forcave politike, për të gjitha çështjet që ne kemi rënë dakord për të krijuar këtë qeveri të integrimit, LSI ka ruajtur dhe do të ruajë identitetin e saj për çështje të cilat do të na dallojnë me PD-në, - tha Meta dje pasdite në një takim me degën e partisë së tij të kryeqytetit. Më tej, ai sërish ka shpjeguar qëndrimet e kundërta edhe pse janë në një aleancë qeverisëse. Jemi në një koalicion, nuk jemi në një parti. Vendimet tona nuk kanë të bëjnë me kundërvënien e askujt, por kanë të bëjnë me mbrojtjen e programit tonë, - tha zv.kryeministri Meta. Megjithëse drejton një parti të majtë, Meta mori vendim për tiu bashkuar koalicionit qeverisës me të djathtën pas zgjedhjeve të qershorit 2009, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Sali Berisha.
Zgjedhjet në parti
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje aktivin e LSI-së për Tiranën, ku u prezantuan dy kandidatët zyrtarë për kreun e LSI-së të kësaj dege, Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti. Meta shfrytëzoi rastin për të folur për keqqeverisjen në Tiranë, duke thënë se LSI duhet ti kushtojë vëmendje qeverisjes në kryeqytet. Ai u kërkoi dy kandidatëve: Gjatë kësaj fushate të rëndësishme, jo vetëm të flitet dhe të diskutohet për angazhimet tona për një organizim më të mirë të LSI-së në kryeqytet, por kështu edhe për të përcaktuar dhe identifikuar njohjen e problematikës së Tiranës, të një komuniteti që realisht janë të shumta, për shkak të politizimit ekstrem të drejtimit, por njëkohësisht dhe për shkak të mungesës së vizionit të qartë, saqë ata që duan të drejtojnë bashkinë, detyrohen të jetojnë jashtë kryeqytetit. Në këtë drejtim të dy profesorët mund të japin kontributin e tyre. Më tej, Meta pranoi se fushata brenda partisë është tregues i përgatitjes së saj për zgjedhjet lokale, ku për herë të parë LSI nuk do të jetë në koalicion me PS-në. Zgjedhjet e ardhshme lokale janë edhe një test për LSI-në, edhe për numrin e zemrave që rrahin për LSI-në, meqë ka disa që i qajnë hallin LSI-së se mos është pakësuar numri i zemrave që rrahin për të. Unë i siguroj me shumë modesti se aq zemra sa lanë ata në kutitë e 28 qershorit për LSI-në, aq zemra do të rrahin për LSI-në në qarkun Tiranës dhe më shumë se gjysma e tyre vetë në qytetin e Tiranës, - tha Meta.