Ilir Meta: Zgjedhjet me standarde, në funksion të integrimit
“Zgjedhje me standarde në mënyrë që vendi të ecë përpara procesit të integrimit”, kanë qenë kryefjala e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në mbledhjen e Komitetin Drejtues Kombëtar të kësaj force politike.
“Ky vit është i rëndësishëm, në 23 qershor kemi zgjedhje, dhe ato janë jo vetëm moment elektoral e partiak, por politik e kombëtar, se duhet që vendi të demonstrojë demokraci të konsoliduar e të tregojë se është një vend që meriton marrjen e statusit kandidat dhe kjo është e arritshme nëse arrihet konsensusi mes forcave politike duke bërë të mundur dhe për hapjen e negociatave” - tha Meta, i cili theksoi angazhimin e LSI-së gjatë muajve që vijnë është në funksion të standardeve të zgjedhjeve.
Gjithashtu Meta ka bërë sërish thirrje për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli.
“Ne kemi fituar me shumë sakrifica të drejtën për te qenë pjesë e administrimit zgjedhor, të tregojnë që bashkëpunimi dhe mirëkuptimi për të arritur standardet se këto janë më të rëndësishëm se gjithçka tjetër. Të mos paragjykojmë zgjedhjet, të mos ekzagjerojmë probleme të caktuara, edhe të funksionimit të piramidës së sistemit zgjedhore, të mos abuzojmë me pjesëmarrjen në organizmat e administratës zgjedhore, do vazhdojmë të angazhohemi për të zhbllokuar integrimin, që po pëson stanjacion të padrejtë, kur dihet se miratimi i tre ligjeve është minimumi i paevitueshëm për statusin, pavarësisht se nuk është gjithçka, politika të marrë përgjegjësitë për të votuar tre ligjet dhe të hedhim një hap për marrjen e statusit” shtoi më tej Meta.
Kreu i LSI-së kërkoi nga organizmat e kësaj force politike të vijojnë me rritjen e anëtarësisë duke vlerësuar edhe LGI-në dhe LRI-në në këtë drejtim.