E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama kalon nga disfata në disfatë, leksionin e humbjes do e rimarrë më 23 qershor

08-02-2013 / Gazeta 55

Ideja se një opozitë pa asnjë shpresë për fitore po e prish garën elektorale ka mbizotëruar bashkëbisedimin e kryeministrit Berisha me të rinj të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar. Përpjekja për të ringjallur platformat e vjetra të etërve komunistë po shfaqet si një betejë që e ka fituesin e sigurt, atë që promovon reformat dhe afrimin e vendit me Bashkimin Evropian

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me të rinjtë e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, IYDU, i organizuar nga deputeti Gert Bogdani.
Në takimin ku Kryeministri Sali Berisha bëri një rezyme të zhvillime historike të Shqipërisë gjatë dekadave të fundit  për të demonstruar suksesin e padiskutueshëm të atyre parimeve që ju besoni në spektrin tonë politik. “Unë kam qenë kardiolog, i apasionuar pas profesionit tim, i angazhuar në lëvizjen antidiktatoriale, antikomuniste. Unë nuk kisha asnjë njohuri për tregun, por njeriu që adhuroja atë kohë ishte Ronald Regan dhe sapo u bëra president, librat e vegjël të tij i mbaja mbi tavolinë dhe i lexoja. Regan shkruante: Paratë në xhepat e kontot e qytetarëve privatë janë më të vlefshme se në arkën publike. Pra, mbronte taksën e ulët. Unë vendosa në atë kohë, sistemin më të ulët të taksave që ekzistonte ndokund dhe atë konsideroj një nga faktorët kryesore të katërfishimit të të ardhurave në atë periudhë. Dhe Regan shkruante: Është mëkat të tentosh të ngjallësh industritë e sëmura. Shqipëria u bë vendi i vetëm ndër vendet ish komuniste që nuk u shpenzua një qindarkë për të rimëkëmbur industritë e sëmura. Të gjitha standardet e hapura që përdorëm qëndrojnë në bazë të arritjeve të këtij vendi”, deklaroi Berisha.
Më pas kreu i ekzekutivit Berisha vuri në dukje progresin e gjithanshëm të vendit gjatë 20 viteve të fundit në të gjitha fushat, ndërsa theksoi se Shqipëria sërish ka një mori problemesh. Sipas tij, vendosja e një sistemi të ulët taksash ka ndihmuar që vendi të mos bjerë në recesion dhe të ruajë një rritje ekonomike 3-4 për qind. “Antikorp e kësaj krize është ndihma për biznesin dhe zgjerimi i lirisë ekonomike. Gjatë një harku të shkurtër kohor ne po ndërtojmë infrastrukturë moderne, kemi ndërtuar 10 mijë kilometra rrugë e autostrada. Në një afat kohor dyvjeçar shqiptarët do të vijnë në Tiranë nga çdo cep i vendit duke kursyer 70 për qind të kohës”, vijoi ai.
Ndër të tjera kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se janë të rinjtë ata të cilët në Shqipëri kanë sjellë ndryshimin.
Berisha specifikoi se ishin pikërisht të rinjtë, të cilët 22 vjet më parë u përballën me diktaturën më të egër në Europë, e gjunjëzuan atë dhe u shndërruan në energjinë e një ndryshimi të pandalshëm duke arritur në 22 mars të ‘92 një fitore të shkëlqyer. “Ndjej kënaqësinë më të madhe të pres këtu politikanë të rinj nga mbarë bota. Për mua dhe vendin tim, i ri, e re ka një kuptim shumë të veçantë. Asgjë nuk do i përshtatet më shumë sesa fjalë ndryshim. Janë të rinjtë të cilët 22 vjet më parë u përballën me diktaturën më të egër në Europë, e gjunjëzuan atë dhe u shndërruan në energjinë e një ndryshimi të pandalshëm duke arritur në 22 mars të 92 një fitore të shkëlqyer. Por të dashur miq për ju dhe për gjeneratën e re të shqiptarëve është shumë e vështirë të imagjinoni Shqipërinë e kësaj kohe. Unë mund tu japë ju disa statistika por ato shprehin vetëm një pjesë të atij realiteti. Shqipëria në atë kohë ishte vendi i tretë më i varfër i planetit. Njerëzit nga një sistem që i kishte shndërruar nga qenie shoqërore në qenie shtetërore”, theksoi Berisha. 
Sipas tij objektivi më madhor i kësaj mazhorance është krijimi i sa më shumë vendeve të punës. Ndërkaq kryeministri Berisha është ndalur në shpjegimin e jetës politike shqiptare për para të rinjve të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar. “Unë kam 20 vjet që zhvilloj betejën elektorale, shumicën dërrmuese i kemi fituar. Dy janë arsyet kryesore, së pari mbështetja e të rinjve. Regan thotë qeveria është problemi, kur një qeveritar e thotë këtë, mund të duket si një vetëqortim, por nuk ka gjë më të rëndësishme sepse kjo imponon të shkosh më të lartë dhe të shikosh se cilat ishin gabimet. Por ndodh me PS. Pasi të humbasin zgjedhjet që do vijnë, prapë do të ketë kod të ri zgjedhor. Ky është problemi që në kuadrin ligjor të zgjedhjeve, dikton opozita”, theksoi ai.  Më tej në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se ne po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe u themi shqiptarëve se ‘Ne jemi ndryshimi’”.
Duke iu referuar kreut të opozitës, Edi Rama, Berisha theksoi se shqiptarët do t’i japin atij leksionin e radhës, në zgjedhjet e ardhshme. “Ne kemi një kundërshtar shumë special, që bën çdo gjë që të zbatojë testamentin e etërve të tij dhe për këtë u rikthehet platformave të vjetra. Por, duket se shqiptarët do t’i japin atij leksionin e radhës. Ai është i famshëm për të kaluar nga disfata në disfatë. Nuk gjen një politikan që të ketë regjistruar humbje pas humbje. Edhe kur nuk ia jep kundërshtari ai e krijon vetë”, komentoi kryeministri qëndrimet e kreut të opozitës.

“Dje shqiptarët iknin nga vendi, sot presim turistë”
I pyetur nga një i ri italian se “nëse në Itali, partitë e majta do fitonin zgjedhjet, do e mirëprisnit popullin italian në Shqipëri?”, kryeministri Berisha u përgjigj me anë të një historie mbi emigracionin. “Kur unë shoh mbrapa në historinë e vendit tim, shoh një histori shumë të dhimbshme, luftëra, pushtime, varfërime, por unë do u rrëfej të vërtetën, se faqja më e dhimbshme e kësaj historie është eksodi masiv i qindra mijëra shqiptarëve. Do ju tregoj bisedën me një mikun tim të ngushtë, deputet grek. Ishim së bashku në Strasburg dhe po ju thosha pak a shumë këto që ju them tani, me një përllogaritje të përafërt, ata që u larguan në det, në tokë, miku im u zbeh. Më ripyeti dhe ja riformulova dhe ju kthye një bashkëbiseduesi. ‘Kjo, tha, nuk ka më tragjike, të humbasë një vend me shpejtësi 25-30 për qind të popullsisë së kombit, kjo është tmerrësisht e dhimbshme. Kjo, u tha atyre, ne na ndodhi me luftën civile pas luftës së II Botërore, dhe përbën kapitull të dhimbshëm’”.
Më tej Berisha shtoi, “Unë dua të them 2 gjëra pse shqiptarët u vërsulën në atë mënyrë në drejtim të Greqisë e Italisë.  Njerëz pa asnjë mënyrë jetese, ato vende pune që kishim me një industri të rrënuar, nuk kishin perspektivë përpara dhe u nisën në atë mënyrë. Tashti i dashur miku im pas këtyre zgjedhjeve që italianët do na vijnë si turistë dhe janë të mirëpritur. Italia është një vend kaq i zhvilluar që çfarëdo rezultate të kenë zgjedhjet janë qytetarët të një vendi të lirë, që kanë dekada që ndërtojnë jetën e tyre ndaj ju uroj të vijnë si turistë”. 
Bashkimi Ndërkombëtar i të Rinjve Demokratë(IYDU) mbledh përfaqësues të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë, nga mbarë bota. Deputeti i Partisë Demokratike në parlamentin shqiptar, Gerti Bogdani, mban postin e zv/presidentit të IYDU-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›