E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta, homazhe për Azem Hajdarin: Do plotësojmë ëndrrën e tij që Shqipëria të jetë si e gjithë Europa

azemhajdariMe qindra njerëz u mblodhën pranë Pallatit të Kongreseve për të nderuar Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari, eshtrat e të cilit pas 15 vitesh do të prehen tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe politikanë të majtë.

Katër anëtarë të kabinetit të ri qeveritar kanë nderuar Hajdarin në këto homazhe.

Në homazhe ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi.

Pak më vonë mbërriti për homazhe dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që foli për gazetarët pasi kreu nderimet pranë eshtrave të Hajdarit.

Meta tha se do plotësohet ëndrra e Azem Hajdarit që Shqipëria të jetë si e gjithë Europa.

Sot është një ditë e rëndësishme, është një ditë homazhi dhe kujtimi për simbolin e lëvizjes së dhjetorit, e cila ktheu faqen e Shqipërisë përmes thirrjeve E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Azem Hajdari do jetë i paharrueshëm.

Është edhe një ditë angazhimi për të plotësuar ëndrrën e tij që Shqipëria të jetë si e gjithë Europa.

Ai nuk e kurseu guximin e tij, kurajën e tij, duke rrezikuar gjithçka.

Unë jam i bindur se të gjithë ne të tjerët do na duhet vetëm të tregojmë më shumë përgjegjshmëri, në mënyrë që ëndrra e tij dhe e Studentëve të Dhjetorit të bëhet realitet sa më shpejt që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, tha Meta.

Në homazhe mori pjese edhe kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, që tha se Azem Hajdari ishte një njeri i papërlyer.

Njeri shumë i guximshëm, njeri kurajoz, pa komplekse,. Dinte të bënte dhe trimin, dhe diplomatin. E përkujtoj me shumë mall, respekt dhe vlerësim. Ai do jetë në jetë të jetëve si një njeri që mbahet mend si njeri i papërlyer. Respekt për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, u shpreh Topi për gazetarët.

Homazhe kanë kryer edhe ish- kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i ri i PD, Lulzim Basha, të dy të shoqëruar nga bashkëshortet.

Më pas të dy kanë lënë disa rreshta në librin e kujtimeve.

I fundit në homazhe mbërriti presidenti Bujar Nishani, që me shumë vështirësi fizike i bëri nderimet e fundit Azem Hajdarit./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›