SHENIM/ A po shërohet presidenti apo i është përkeqësuar shëndeti?
Nuk duhet përgojuar shëndeti i askujt, por ai është presidenti i Shqipërisë dhe njerëzit kanë të drejtë të pyesin.
Shqiptarët panë se si ai mbahej për krahu kur bëri homazhe pranë eshtrave të Azem Hajdarit, me dosjen e përhershme në krah, ndërkohë që dridhej.
Për shkak të kësaj gjendje, Bujar Nishani nuk shkoi as në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Pak javë më parë u raportua se Nishani ishte shtruar me urgjencë në spital, por ai vetë i mohoi këto lajme, duke thënë se ishte një vizitë e zakonshme.
Nishani po mbush më shumë se një vit që kur është zgjedhur president dhe rrallë shihet në publik, duke censuruar të gjitha pamjet që e tregojnë atë duke ecur.
Në një intervistë të dhënë më shumë se një vit më parë, ai deklaroi se pas një viti e gjysmë maksimumi, do jetë në top formë, duke u rikthyer siç ka qenë para sëmundjes.
Por pamja që panë sot shqiptarët flet ndryshe. Nishani nuk duket se ka ndryshuar nga një vit më parë, le më të flitet që është pranë shërimit total.
Shqiptarët duhet të dinë më shumë për shëndetin e tij, përsa kohë ai është në majën e shtetit shqiptar.
Ai mund ti shmanget përgjigjeve, duke thënë se nuk mund të flitet për shëndetin e dikujt, por pyetjet do mbeten gjithmonë përsa kohë ai të shfaqet përpara shtetasve të tij në atë gjendje./ep