E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Muka: Nuk e vrava himarjotin, ishte aksident

17/08/2010 Gjykata e Vlorës, burg pa afat për 2 të rinj të ngjarjes së Himarës, 7 të tjerët burg me afat dhe garanci

VLORE- Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e arrestit burg pa afat për 20-vjeçarin Ilir Muka, i cili akuzohet për shkaktimin e një aksidenti të qëllimshëm ku gjeti vdekjen himarjoti Aristotel Guma. Muka u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pas disa ditësh fshehje dhe u gjet nga familjarët e tij i dehidratuar dhe në kushte të mjerueshme psikike në një zonë pranë Himarës. Ndërkohë kjo gjykatë ka dhënë masën e arrestit me burg edhe për shtatë të arrestuarit e tjerë, të cilët dyshohet se përkrahën drejtuesin e automjetit, Ilir Muka në realizimin e aksidentit me vdekje.

Masa

Gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg pa afat për Andi Salataj, ndërsa me 20 ditë burg u dënuan Aleksandër Gjika, Bledar Meminaj dhe Andi Kotorri. Ndërsa me 15 ditë burg u dënua Juxhin Mustafaj. Fatjon Jahaj dhe Joni Bushi u dënuan me nga një 1,5 milionë lekë garanci.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të enjtes, kur viktima Aristotel Guma po udhëtonte me motorin e tij, dhe përplaset për vdekje nga makina tip Audi më targa angleze, e drejtuar nga Ilir Muka. Himarioti gjeti vdekjen e menjëhershme pas goditjes fatale, ndërsa drejtuesi i automjetit Ilir Muka u arratis duke e lënë automjetin e krimit në vendngjarje.

Gjyqtari i çështjes vendosi masën e sigurisë "me burg me afat" për të rinjtë Aleksandër Gjoka, Bledar Meminaj, Andi Kotorri e Juxhin Mustafaraj, të cilët akuzohen për bashkëpunim, si dhe garanci pasurore prej 1,5 milionë lekësh për të rinjtë Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët akuzohen për veprën e dhënies së ndihmës. Në seancë, i riu, Ilir Mukaj shfaqi pendesë për ngjarjen, ndërkohë që deklaroi se bëhet fjalë për një aksident jo të qëllimshëm.

Sipas policisë, i riu Ilir Muka kishte qëndruar i fshehur në afërsi të Tiranës që prej së premtes kur u shpall në kërkim nga policia. Për kapjen e tij, policia kishte caktuar një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që jepte informacion që do të ndihmonte në arrestimin e tij. Një natë para vetëdorëzimit babai i Mukës deklaroi se “djali do të dorëzohet pasi të qetësohet situata, që është e politizuar dhe e tensionuar”. Mbrëmjen në të cilën ndodhi aksidenti fatal dhe gjatë ceremonisë mortore të Aristotel Gumës himarjotët bllokuan krejt aksin rrugor Vlorë-Sarandë deri në mesditën e të premtes, në shenjë proteste ndaj aksidentit, i cili deri më tani cilësohet si i qëllimshëm që i mori jetën një himarjoti. Ngjarja u përfol menjëherë se kishte lidhje me motive etnike, pasi viktima Aristotel Guma ishte përkrahës i idesë se “Himara është Greqi”, një ide të cilën e bëri pjesë të një debati plot kundërshti me disa të rinj kosovarë, vetëm një ditë para aksidentit. Ndërkohë dëshmitë e para flasin dhe për në përplasje verbale mes viktimës dhe grupit të të rinjve pak minuta para se të ndodhte aksidenti. Dëshmitarë në vendngjarje janë shprehur se ka pasur kërcënime nga të dy palët. Deri më tani policia nuk i ka zbardhur apo deklaruar shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike, por reagimet e para erdhën nga përfaqësues të minoritetit grek, përfaqësuesve më të lartë të kishës grekë dhe u propagandua si një ngjarje me motive raciste dhe etnike. Pritet që ngjarja të zbardhet krejtësisht nga policia.

Ilir Muka, 20 vjeç, banues në Vlorë, burg pa afat

Endrit Salataj, 22 vjeç, banues në Vlorë, burg pa afat

Aleksandër Gjokaj, 21 vjeç, banues në Vlorë, 20 ditë burg

Andi Kotorri , 25 vjeç, banues në Vlorë, 20 ditë burg

Juxhin Mustafaraj, 23 vjeç, banues në Tiranë, 15 ditë burg

Dijon Bushi, 19 vjeç, banues në Vlorë, garanci 1.5 milionë lekë

Fabjon Jahaj, 21 vjeç, banues në Vlorë, garanci 1.5 milionë lekë

Reagim ndaj vrasjes së Aristotel Gumës

Greva, pezullohet për 1 orë puna në komunat e minoritetit grek

GJIROKASTËR - Të gjitha njësitë e pushtetit vendor në jug të vendit që administrohen nga përfaqësues të minoritetit grek, kanë pezulluar dje të gjithë aktivitet administrative, kjo në nderim të kujtimit 35-vjeçarit Aristotel Guma, që humbi jetën katër ditë më parë në Himarës, pasi një aksidenti rrugor i dyshuar si i qëllimshëm. Dhimitër Maluqi, kryetari i komunës së Dropullit të Poshtëm, tha se pushteti vendor pezulloi aktivitetin e saj nga ora 10:00 deri në 11:00, me qëllim sensibilizimin e të gjitha strukturave kompetente për zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të këtij krimi të paprecedent. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kohore, pranë gjendjes civile u shfaqën radhë të gjatë qytetarëve që prisnin të aplikonin për letërnjoftimin e ri elektronik apo për pasaportat biometrike. Një ditë më parë, kryetari i Partisë Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, gjatë një konference shtypi të organizuar në qytetin e Gjirokastrës, iu bëri thirrje përfaqësuesve të pushteti vendor të pezullojnë punën, si dhe i kërkoi Ministrisë së Brendshme të rikonstruktojë organet e rendit në Himarë, që, sipas tij, vazhdimisht kanë manifestuar tolerance të papranueshme ndal elementeve me sjellje provokative ndaj identitetit, gjuhës dhe traditave të pjesëtarëve të minoritetit grek. Gjithashtu, lideri i PBDNJ-it, ka vlerësuar deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili u distancua hapur dhe dënoi ashpër vrasjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›