E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transportet: Tirana ka ujë, Rama të shikojë ndryshimin

16/08/2010 Banorët e Saukut me deputetët e PS-së bllokojnë për 30 minuta rrugën nacionale

Akuza: Kryeqyteti pa ujë pas refuzimit nga Bashkia të Ujësjellësit

Ministria e Transporteve ka reaguar menjëherë pas akuzave të PS-së për mungesën e ujit në Sauk, duke theksuar se përmes një investimi prej 1,5 milion lekësh brenda dy javësh do të zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë për zonën e Saukut pranë Tiranës. Ditën e djeshme rreth 30 banorë të zonës së Saukut në Tiranë, me mbështetjen e deputetit të Partisë Socialiste Besnik Bare, bllokuan nga ora 8:30 deri në orën 9:00, rrugën automobilistike që lidh kryeqytetin me Elbasanin. Këta banorë kërkonin zgjidhje të menjëhershme, pasi për rreth 30 ditë nuk kishin ujë në banesat e tyre. Lidhur me këtë fakt, ku në mbështetje të protestuesve doli edhe zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës Florion Seriani, Ministria e Transporteve sqaroi përmes një deklarate për shtyp se tashmë shqetësimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama është përfundimisht arritja që Tirana më në fund ka ujë. Ministria e Transporteve bëri me dije se zona të tëra të populluara, si “Komuna e Parisit”, “Kodra e Diellit”, Lapraka dhe Shkoza furnizohen rregullisht me ujë. “Të gjitha këto zona, që nuk janë furnizuar kurrë me ujë falë refuzimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama për ta konsideruar këtë një kompetencë të tij, sot e kanë të zgjidhur problemin e ujit, madje të zgjidhur problemin e ujit e kanë edhe të gjitha shtëpitë e zotit Rama”, - tha zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve Arminda Qylafku. Sipas Ministrisë së Transporteve, problemi i furnizimit me ujë do të ishte zgjidhur shumë më parë, por kryetari i Bashkisë ka qenë ai që nuk i ka kushtuar aspak vëmendje këtij problemi aq jetik për qytetarët, pasi tërë vëmendja e Ramës ka qenë te lejet e ndërtimit. “Ftojmë Edi Ramën të shkojë në të gjitha këto zona të shohë ndryshimin, të zhvillojë një vizitë njohëse me deputetët e tij edhe në Sauk, ku po kryhet një investim prej 1,5 milion lekë, që brenda 2 javëve do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e furnizimit me ujë të Saukut të vjetër”, - theksoi Qylafku. Ministria e Transporteve ftoi edhe deputetët e PS-së të sillen si qytetarë dhe jo si banditë me maska, që bllokojnë rrugët, duke theksuar se për aktin e bllokimit të sotëm të rrugës me 30 militantë të PS-së Ministria e Transporteve do të denoncojë penalisht deputetin e PS-së Besnik Bare. Ministria e Transporteve i sugjeroi Ramës të mos bllokojë më rrugët për mungesën e ujit në Tiranë me pretekstin e mungesës së ujit të pijshëm, pasi Tirana përfundimisht ka ujë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›