Ilirët universalë dhe një gëzim që hidhëron
Nata e dymbëdhjetë e Shekspirit e vendosur në Iliri, një vend pa lidhje me historinë, ekziston prej Violës, këtij personazhi inteligjent që flet pak për veten dhe mban në aksion gjithë të tjerët. Vala e detit e ndau nga vëllai binjak dhe e pruri nga Mesalina (një tjetër vend i shpikur nga dramaturgu) në brigjet e panjohura të Ilirisë, ku u vesh mashkull, Çezario, e vu në shërbim një fisniku vendas, dukës Orsino, u dashurua nga Olivia, xhelozoi kandidatët e kësaj konteshe, dyluftoi me një nga ata, kalorësin Sër Endrju, për ta mbyllur aventurën e saj në martesë me Dukën.
Në shërbimin e saj të parë, në takim me konteshën Olivia, thotë për veten se ka pamjen e njeriut që nuk është. Ajo është ajo që nuk duket.
Në Iliri askush nuk është ai që është dhe secili dëshiron të jetë ai që sështë. Qejfet e Sër Tobit dhe intrigat e tij të vogla për të ruajtur pozitën, çmenduritë e Malvolios që tërheqin në spektakël edhe maskat e të tjerëve, shërbëtorë, gaztor e miq të lehtë, përbëjnë Ilirinë me kokë poshtë, vendin e njeriut universal.
Në shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisori Ilir Bokshi ia identifikon spektatorëve shqiptarë si vendin e tyre, për të cilin Shekspiri ka aluduar rastësisht.
Në kostumet e Vesa Krajës, gjen me tone të lehta pastel, forma të moderuara të fustanellës te burrat, të shajakut, qeleshet, brezat, çorapet-këpucë, elemente të qëndismave nga kostumet popullore përdorur në xhaketat e fisnikëve ilirë. Figura Çezario-Viola (në rol Driada Matoshi), për shembull, është ndërthurje harmonike e të gjithave: është kokëqethur, jeleku dhe pantallonat ngjyrë gri janë imtim i kostumit shajak të burrit malësor të Veriut, mbi to fraku ngjyrë e mbyllur portokall (dikur Pirro Mani e maskonte për këtë rol Roza Anagnostin me paruke, beret, getë, pelerinë e shpatë).
Kompozitori Trimor Dhomi ka zbuluan thesar nga zëri njerëzor që aktorët e përdorin zakonisht vetëm për të recituar. Gaztori (Armend Ismajli) në vend tia qajë me fjalë hidhërimin Dukës (Shklëzen Veseli), ia thotë me këngë shkodrane. Zgjedhjet e Dhomit nga repertori i muzikës popullore deri te këngët myzeqare të dasmës është mjaft i hollë dhe mbreslënës kombinimi i zërave në kor. Përpos dy daulleve të mëdha që bëjnë rojë në dy skajet e skenës, janë edhe disa lodra të instaluara në bazamentin kryesor skenografik. Ato goditen fort nga aktorët të cilët ndjekin një ritëm muzikal edhe me përplasjen e dy shkopinjve që i mbajnë në brez si instrument i vogël muzikor.
Me ritme të tilla dhe thirrje tribush bëhet ndërrimi i akteve. Shfaqja është pothuajse 3 orë me 10 minuta pushim dhe spektatori e përballon mirë.
Me skenografinë e Petrit Bakallit, regjisori Ilir Bokshi ndërton kompozime madhështore në plan të gjerë, për shembull vetëm me bazamentin multifunksional që shërben për të krijuar skena të pallatit dukal, oborrit kontëror, po fundja edhe të bregdetit ilir.
Ai sjell po aq pasuri me saktësi në plan-detajet skenike kur fokusohet vetëm në një karakter, si te loja me hijen e Malvolios (në rol Adrian Morina), apo të dy-tre karaktereve që vërtiten pranë shilarësit, Sër Endrju (Ylber Bardhi), Sër Tobi Belç (Ard Islami), Maria (Edona Reshitaj).
Regjisori Ilir Bokshi krijon me Nata e dymbëdhjetë një portret mjeshtëror të të ashtuquajturve banorë të Ilirisë. Pa ia pasur nevojën historisë, ai i trajton çështjet e identitetit dhe e statusit social si të thelbit njerëzor me gjithë metodën dhe mjetet e mundshme të artit teatral. Nata e dymbëdhjetë nuk është thjesht një shfaqje me kulm estetik, është një demonstrim kulturor sa individual aq edhe i përbashkët i artistëve që vijnë nga Kosova, që thjesht të gëzon. Në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë më 17-18 shkurt, ajo realizua në kushte primitive e për të cilat artistët në Shqipëri nuk e ngrenë zërin kurrë.
Bisedë me Ilir Bokshin
Mund të tregoni pak veten?
Unë jam gjakovar, kam lindur më 66-ën. Kam studiuar në Bukuresht në vitet 1987-1993 për regji teatri. Kam punuar pak kohë para luftës në Gjakovë e Prishtinë, por shumë pak. Në Bukuresht është ndërtimi im profesionist. Faktikisht atje e kam mësuar zanatin. Rumunët dallohen në këtë pjesë të Evropës Lindore për një teatër të zhvilluar e në avangardë.
Përpos shkollës, çfarë ju vlejti në Bukuresht?
Kam parë me dhjetëra shfaqje fenomenale që nuk e kam ende idenë se si bëhen, aq të mira ishin.
Çfarë po i sillnin teatrit vitet e ndërrimit të sistemit politik?
Me ndërrimi e sistemit politik në Rumani, me rënien e Çausheskut, u kthyen gjithë ata regjisorë që kishin bërë karrierë në botë dhe treguan dy-tre vitet e fundit një teatër kulminant. Prandaj më duket se mjafton me i pa gjithë ato shfaqje të mrekullueshme për të krijuar një shije e një sens për teatrin.
Çfarë shije u krijua tek ju?
E ngjashme me këtë që patë ju sonte. Dua të them se ajo që kam parë nuk ka pasur të bëjë me soc-realizmin.
Erdhët me shpresa nga Bukureshti?
E dija çfarë niveli ishte teatri në Kosovë, por me energjinë që erdha nga Rumania besoj e kam lënë një shenjë në shndërrimin e teatrit nga ajo formë që ka pasur në një formë pak më avangardë. Fillimisht realizova një shfaqje në Teatrin e Gjakovës, mandej në ish Teatrin Popullor të Prishtinës e përsëri në Gjakovë me Antigonën e Sofokliut më 1995. Besoj kjo vepër ka qenë më e rëndësishme në atë kohë, i ngjan këtij lloji teatri që patë sonte, për shkak të korit antik, por pa kompozitor. Ndërsa këtu Dhomi ka dhënë, për mua, maksimumin për ti prurë aktorët në nivel vokal edhe ritmik.
Si punoni ju me aktorin, ku i merrni dhe ku i çoni aftësitë e tij?
Për Natën e dymbëdhjetë puna kryesore është bazuar pikërisht tek muzikaliteti i aktorit, sepse pjesën tjetër të aktrimit këta e kanë shumë të lehtë ta bëjnë mbas gjithë kësaj pune të mundimshme. Ata vinin me lëndë tjetër me mu në provat e mizansenës. Ishin shumë të vullnetshëm, shumë kreativë. Paramendoni një njeri që nuk dinte ta bënte deri atëherë një punë si me i ran dajres ose me këndu, me qenë pjesë e korit. Paramendoni stresin që kishin gjatë provave muzikore, edhe relaksi që kanë pasë mandej si aktorë. Por kjo nuk e përgjithëson punën time të mëparshme apo të mëtutjeshme me aktorin.
Çfarë kërkoni nga trupi i aktorit?
Megjithëse nuk jam njohës i mirë i lëvizjeve skenike, në kuptimin e përgatitjes fizike të aktorit, këto prova kanë konsistu në shumë punë parapërgatitje, nxemje vokale me teknika të ndryshme, krijimin e kondicionit fizik i domosdoshëm për këtë ritëm të punës që u merr shumë mund, shumë energji. E tash munden që fizikisht me e çu edhe tri orë shfaqjen.
Shekspiri është nga autorët me të cilin keni punuar më shpesh?
Nga Shekspiri kam punu për Ëndrra e një nate vere në TKK, Rikardi III. Mandej pata nji pauzë sepse u mora me televizion, me serialet. Nisa me mendu për bukën e gojës. Në Shqipëri kam prezantu Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes. Vepra të tjera janë Menaxheria e qelqtë, ndër veprat më të dashurat të miat. Të gjitha kanë qenë tekste të reja. Ndodh që regjisorët vijnë me tekste të gatshme.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Dua të them që shumica e kolegëve të mi kanë mungesën e kreativitetit ose shesin një prodhim që e kanë prodhuar njëherë. Unë dua të mos përsëritem më me një vepër, mos ta bëj më në jetën time Natën e dymbëdhjetë. Sepse besoj që kam thanë çfarë kam p
