E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Vrasja e Ziver Veizit është kryer nga Agim Llupo

Flamur Vezaj

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin zyrtar se vrasja e protestuesit Ziver Veizi më 21 janar të vitit të kaluar është kryer nga gardisti Agim Llupo, i cili prej më shumë se një viti ndodhet i arrestuar. Lloji i armës është MP-5 A2, i ndryshëm nga MP5-at e tjera të cilat janë përdorur ditën e demonstratës nga gardistët dhe kanë prapashtesën A3. Grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës ka sekuestruar regjistrin e tërheqjes së armëve nga depoja e Gardës së Republikës dhe për më tepër kanë marrë ekspertizën balistike si dhe dëshmitë e kolegëve të Llupos. Sipas shkresës që hetuesit kanë siguruar, mësohet se nga pesë gardistët që kanë tërhequr dhe kishin në përdorim këtë lloj arme, i vetmi që ka qëlluar ditën e demonstratës së 21 Janarit ishte efektivi Llupo. Si pasojë e këtyre shkrepjeve të plumbave luftarak ka mbetur i vrarë edhe demonstruesi nga Gjirokastra Ziver Veizi.

Javën që kaloi, grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës mori në pyetje katër efektivët e tjerë, që kishin në përdorim këtë lloj arme, model MP-5A2 dhe rezultoi se dy prej tyre nuk ndodheshin fare në ambientet e Këshillit të Ministrave ditën e demonstratës. Njëri ndodhej në ambientet e Presidencës dhe tjetri ishte në Dibër. Ndërsa, dy të tjerët që ishin në ndërtesën e kryeministrisë nuk kishin shkrepur ndonjë plumb, kjo e provuar edhe shkencërisht nga Laboratori i Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme. Këta të fundit, nga ekspertimi balistik dhe krahasues kanë identifikuar se nga tyta e armës që Llupo kishte në përdorim ka ardhur vrasja e Veizit.

Për të përforcuar këtë argument, sipas të dhënave të prokurorisë, mësohet se edhe vetë ish-Komandanti i Gardës tashmë nën hetim për vrasje Ndrea Prendi, ka pranuar gjatë dëshmisë së me armët e modelit MP-5A2 ka qëlluar vetëm gardisti Llupo. Vetë ky i fundit, gjatë dëshmisë së tij nuk ka pranuar se ka qëlluar në drejtim të turmës, por vetëm në ajër. Vetë Llupo ka mohuar se është autori i vrasjes së Veizit, duke u shprehur se kishte qëlluar në ajër,- thuhet nga prokuroria. Por, hetuesit e çështjes, përveç identifikimit të armës së Llupos, që ishte e gërvishtur mekanikisht, kanë siguruar edhe dëshmitë e kolegëve të tij, të cilët e kanë identifikuar Llupon në vendin nga ku mendohet se është vrarë Veizi, vend ky i transmetuar në të gjitha mediat vizive. Nga ana tjetër, mbetet enigmë për hetuesit e çështjes, fakti që regjistrin e armëve që administrohej nga magazinieri Mark Ndoj, nuk rezultojnë të shënuara numrat e armëve që janë tërhequr dhe përdorur model MP-5A2 nga Llupo dhe katër efektivët e tjerë.

Sipas të dhënave hetimore, mësohet se gardisti Llupo ditën e ngjarjes kishte përdorur dy lloj arme, atë të modelit MP-5A2 model 9 mm nga e cila ka gjetur vdekjen Veizi dhe një armë tjetër MP-5A3 model 9 mm. Është provuar se gardisti që ndodhet i izoluar në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg, Agim Llupo, ditën e demonstratës së 21 Janarit ka përdorur dy armë, model 9 mm por të llojit MP-5A2 dhe MP-5A3. Fillimisht kishte pas në përdorim armën MP-5A3 e cila ishte bllokuar gjatë gjuajtjeve me plumba manovre dhe më pas ka marrë në përdorim armën tjetër (po personale) të llojit MP-5A2,- thuhet nga prokuroria. Nga kjo armë, sipas ekspertimit balistik e krahasues rezulton që Llupo ka qëlluar 32 plumba luftarakë, ku nga njëri prej tyre mendohet se është vrarë Veizi. Gjithashtu, sipas skemës së ngjarjes dhe rrjedhës logjike të ngjarjes, dyshohet që edhe vrasjen e Hekuran Dedës e ka kryer gardisti Llupo, por, ky version ende zyrtarisht nuk është ngritur nga prokuroria.

Në oborrin e kryeministrisë u gjendën 132 gëzhoja

Mbrëmjen e 21 janarit 2011 prokurorët e çështjes, që u ngarkuan për hetimin e vrasjeve të demonstruesve, gjetën dhe sekuestruan në oborrin e kryeministrisë 132 gëzhoja të plumbave luftarakë të kalibrit 9 mm të qëlluara nga katër lloj armësh, automatikë MP-5A2 e MP-5A3 dhe pistoleta Bereta e Makarov. Pas sekuestrimit të këtyre gëzhojave, prokuroria sekuestroi dhe dërgoi për ekspertim të gjitha armët e llojit MP-5 A2 dhe MP-5 A3 që efektivëve e Gardës së Republikës kishin në përdorim ditën e demonstratës.

Instituti i Policisë Shkencore përpiloi një raport ku thuhet se 118 plumba luftarakë janë qëlluar nga gjashtë armë të llojit MP-5A2 dhe MP-5A3 që kishin në përdorim efektivët e njësisë sPeçiale të Gardës së Republikës. Pamjet filmike dhe fotografitë e medieve kanë treguar se disa nga gardistët kanë pasur me vete atë ditë deri edhe nga dy armë të llojit MP-5A2 dhe MP-5A3. Disa prej tyre shfaqen në filmime me njërën në dorë duke qëlluar në lartësi njeriu ndërsa tjetra u varej pranë këmbës. Gardisti që vrau Ziver Veizin, ka qëlluar 32 plumba luftarakë dhe është i vetmi që ka përdorur armën MP-5A2.

Gardistët e tjerë Gazmend Ahmetaj 46 plumba, Mark Nikolli 18 plumba, gardisti Ilir Duraku 12 plumba dhe Sadik Çela 10 plumba luftarak nga totali i 118 plumbave me armët e llojit MP-5A3. Përveç këtyre armëve, ekspertët konstatuan se janë shkrepur edhe 11 plumba luftarakë nga një pistoletë e llojit Beretë dhe tre plumba nga pistoleta e llojit Makarov. Nga ekspertimi i dy pistoletave të dërguara në SHBA nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-ja), ka rezultuar se 11 plumba janë qitur nga arma e llojit Bereta që kishte në përdorim ish-komandanti tashmë nën hetim për vrasjen e Faik Myrtaj, i dyshuari Ndrea Prendi. Tre plumbat e Makarovit janë ende mister.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›