Illyrian Guard krijon rrjetin e parë me 100 vullnetarë për emergjencat, Lamallari: Model europian për mbrotjen civile

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të grupit të parë prej 50 punonjësish të kompanisë publike Illyrian Guard Sh.A., të cilët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit “Vullnetarizmi në Mbrojtjen Civile”, të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Ndërkohë që 50 punonjës të tjerë po trajnohen dhe do të certifikohen duke e çuar kështu në 100 numrin total të vullnetarëve nga kjo kompani.
Kjo trupë e trajnuar për zjarret dhe jo vetëm, shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave civile, duke hedhur themelet e një rrjeti të qëndrueshëm vullnetarësh të certifikuar, të gatshëm për të mbështetur strukturat profesionale në situata të jashtëzakonshme.
Në fjalën e tij, ministri Lamallari e cilësoi këtë nismë si një kthesë domethënëse për sistemin shqiptar të mbrojtjes civile, duke theksuar se mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit është një përgjegjësi që kërkon bashkimin e institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.
“Më vjen mirë që për herë të parë vullnetarët në mbrojtjen tonë civile vijnë nga kompania Illyrian Guard, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky nuk është vetëm zbatimi për herë të parë i asaj që është parashikuar në ligj, por nga ana tjetër është edhe një model i mirë për t’u replikuar nga kushdo që ndan të njëjtin nivel ndërgjegjësimi qytetar dhe dashurie për vendin. Ky certifikim nuk është thjesht një dokument. Ai është një përgjegjësi dhe një premtim se kur vendi të ketë nevojë, ju do të jeni të gatshëm të kontribuoni. Vullnetarët e trajnuar janë një hallkë e domosdoshme e zinxhirit të sigurisë. Ata nuk zëvendësojnë strukturat profesionale, por i mbështesin ato, duke rritur aftësinë e vendit për të reaguar shpejt dhe me efikasitet,” u shpreh ministri.
Duke u ndalur te sfidat që paraqesin zjarret gjatë sezonit veror, ministri vlerësoi angazhimin e Illyrian Guard për tejkalimin e rolit të saj të përditshëm, duke investuar në rritjen e kapaciteteve kombëtare të mbrojtjes civile dhe në promovimin e kulturës së vullnetarizmit.
/rtsh.al/