E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton familjen me 3 fëmijë pranë Jalës

Një familje me pesë anëtarë është shpëtuar nga Policia Kufitare në Himarë, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt gjatë natës, në kushte të vështira atmosferike.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, kur autoritetet u njoftuan se disa persona që ndodheshin në një mjet lundrues pranë plazhit të Jalës kishin nevojë urgjente për ndihmë, pasi mjeti ishte dëmtuar për shkak të motit të keq.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat nisën kërkimet në det me mjetin e tyre lundrues. Pas operacionit të kërkimit, efektivët arritën të lokalizonin mjetin në të cilin ndodheshin 5 shtetas, një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre.

Të gjithë personat u transportuan drejt Pikës së Kalimit Kufitar Himarë, ku rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore.

Familjarët falënderuan punonjësit e Policisë për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale, e cila shmangu një situatë me pasoja të rënda.

Policia Kufitare apelon për të gjithë pushuesit dhe vizitorët që të respektojnë rregullat e sigurisë në det, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të shmangin lundrimin në kushte të rrezikshme atmosferike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›