Imazhi i Shqip
• Mark MarkuNuk është e rastit që akti i parë i dokumentuar i aventurës së zbulimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve është një akt gjuhësor: Fjalorthi shqip i Arnold von Harfit. Kalorësi nga Këlni, udhëtar i dhënë pas aventurës së njohjes me tjetrin, duke kaluar nëpër Ulqin, Durrës e Sazan nuk harron ta dokumentojë zbulimin e tij të ri: gjuhën shqipe. Regjistron disa fjalë, si prova të zbulimit të tij, të cilat mbetën pa botuar disa shekuj, derisa Dr. Von Groote, i boton në vitin 1860 në Këln. Më vonë, siç dihet gjuha shqipe do të bëhet objekt i ekskursioneve apo i vëzhgimit të shumë filologëve e dijetarëve si Malfioti, Celebiu, Leibniz, Da Lecce, Herder, Spencer, Hobhouse, Boué, Pouqueville, Hahn dhe të tjerëve. Viti i botimit të shënimeve të Von Harfit përkon me një epokë historike të kulturës evropiane që mund të quhet pa frikë epoka e zbulimit të ndërsjellë të kulturave dhe kombeve Është fjala pikërisht për atë dukuri komunikimi që ka të bëjë me zbulimin e tjetrit, me tjetrin si bartësi i një identiteti kulturor të ndryshëm nga i yti, me tjetrin si botë dhe si vete, si zbulim dhe si rikrijim.Imazhi i tjetrit zbulohet në një shumësi tekstesh të ndryshme filologjike, historike, gjeografike, letrare, të organizuara në forma ligjërimi që nga ato studimore, letrare, e deri tek shënimet e udhëtimit që na transmetojnë informacione, gjykime, realitete në të gjitha gjuhët dhe për të gjitha kombet. Në antikitetin grek ishte pikërisht elementi gjuhësor ai që bën dallimin mes "tanëve", dhe "të huajve". Ata që nuk dinin gjuhën e tjetrit konsideroheshin "barbaros", domethënë të huaj. Barbari, i huaji, duhej përbuzur pikërisht sepse nuk fliste gjuhën e grekëve. Këtej rrjedh edhe ajo traditë imazhologjike, ku imazhi i tjetrit krijohej sipas paragjykimeve të një qytetërimi apo të një kulture.Nga tërë larmia e teksteve të përmendura më sipër tekstet filologjike janë studimet që realizojnë më mirë funksionin e tyre imazhologjik. Filologjia si shkencë moderne mori një kahje historiko-krahasuese gjë që e bëri atë një instrument të rëndësishëm shkencor dhe të paanshëm në kërkim të tjetrit. Nga mesi i parë i shekullit të 19-të, filologjia kishte pretendimin e një shkence ekzakte. Si e tillë ajo do të ishte një shkencë deri diku neutrale nga pikëpamja ideologjike. Kjo gjë verifikohet edhe në rastin e studimeve të autorëve të huaj për shqipen. Këta autorë bëjnë përpjekje për studimin e sistemit të shqipes dhe për vendosjen e saj në sistemin e gjuhëve evropiane. Disa prej tyre përqendrohen në regjistrimin e leksikut, të sistemit dhe të studimit të shqipes nëpërmjet fjalorëve dhe këtu kam parasysh përveç Arnold von Harfit, Da Leccen ose Evla Celebiun. Të tjerë mundohen të vërtetojnë shkencërisht prejardhjen e saj, t'i gjejnë asaj një vend në sistemin e gjuhëve evropiane dhe me këtë fillon edhe periudha e studimit shkencor të shqipes. Këtu jo rrallëherë kemi të bëjmë me atë dukuri që Eduart Said e quan strukturë objektive të të dhënave dhe rindërtim subjektiv të tyre. Rasti i Leibnizit është i tillë. Ai në letrën e parë që i dërgon mikut të tij, La Croze mendon, se gjuha shqipe është një variant i gjuhëve sllave. Në letrën e dytë ai ndërron mendim, pasi ka studiuar një tekst të shqipes, por prapë se prapë argumentimi i tij është më tepër një opinion i përciptë rreth të dhënave që i ofrohen nga shqipja. Kështu, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të kohës së vet, bëhet autor i një rikonstruktimi subjektiv të një realiteti gjuhësor. Megjithatë Leibnizi me ndikimin e tij do të bëhej shkas që shumë albanologë gjermanë të mëvonshëm si George von Hahn, Franc Bopp, Gustav Majer apo Norbert Jokl t'i qaseshin me metoda më rigorozisht shkencore shqipes. I pari albanolog që iu përkushtua në mënyrë tërësisht shkencore studimit të shqipes është George von Hahn. Me Hahnin kemi modelin e dijetarit të huaj që do ta eksplorojë botën shqiptare në tërësinë e vet. Studimet shqiptare të botuara në vitin 1854 në Vjenë përmbajnë një sasi shumë të madhe dhe të larmishme informacioni për traditat dhe zakonet, mënyrën e jetesës, për psikologjinë dhe karakterin e shqiptarëve, për këngët popullore, gjuhën dhe shkrimin e shqipes. Pavarësisht problemeve që vërehen, me veprën e Hahnit kemi një shkëputje nga vështrimet sporadike dhe të gabuara të autorëve të huaj për shqipen, dhe kalim në fazën e studimeve sistematike dhe shkencore të gjuhës shqipe, të kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Vetëm një vit më vonë në vitin 1855, Karol Reinhold-i botoi një vepër të rëndësishme për studimin e shqipes të quajtur "Netë Pellazgjike" gjë që dëshmonte se bota shqiptare po bëhej gjithnjë e më shumë joshëse për mendimin shkencor të evropianëve.E vërteta shkencore ka një rol shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në komunikimin e imazhit të tjetrit. Pavarësisht efekteve të kufizuara pasi, duke kërkuar një marrës shumë të kualifikuar, ajo e ka shumë të vështirë ta gjejë një të tillë, e vërteta shkencore është metoda më efikase e një strategjie komunikimi afatgjatë. E vërteta e saj është gjithnjë aty, si kur duket, edhe kur nuk duket, e gatshme të zhbëjë falsifikimet në momentin e duhur. Pavarësisht se falsifikimeve u vihen në dispozicion shumë mjete dhe rrethana, të vërtetat shkencore rezistojnë, e përhapin dritën e tyre dhe ndonjëherë bëhen edhe mbizotëruese. Metodologjia e studimeve shkencore filologjike si një trajtim subjektiv i fakteve objektive, është krejt e ndryshme nga metodologjia e shkrimeve të tjera. Në ndryshim nga tekstet filologjike që janë një studim diakronik minimalisht i ideologjizuar i një vendi, kulture, populli apo historie, tekstet letrare, historike, apo ato të shënimeve të udhëtimit janë një vështrim sinkronik, i sipërfaqshëm maksimalisht i ideologjizuar dhe shpeshherë i deformuar i një vendi, njerëzve dhe kulturës së tij."Imazhologjia, shkruan studiuesja Nora Moll, është studimi i imazheve, paragjykimeve, klisheve, stereotipave dhe në përgjithësi i opinioneve për popuj e kultura të tjera që transmetojnë shkrimet e ndryshme duke u nisur nga bindja se këto imazhe siç quhen zakonisht, kanë një rëndësi që shkon përtej rëndësisë që kanë si fakte letrare të thjeshta. Interesi më i madh për studimet imazhologjike buron nga fakti se këto imazhe kanë edhe një vlerë ideologjike dhe politike"Shqiptarët dhe trevat e banuara prej tyre, qysh herët janë bërë objekt inkursionesh njohëse nga udhëtarët e huaj. Nëpërmjet shënimeve dhe librave të botuara prej tyre ndërtohet pak nga pak imazhi i shqiptarëve jashtë, i cili për shkak të mungesës së shkrimeve në gjuhën shqipe dhe për shkak të mosekzistencës së një elite kulturore vendase mbetet për një kohë të gjatë i vetmi imazh për Shqipërinë dhe shqiptarët. E thënë shkurt, krijohet një imazh së jashtmi, nga të huajt dhe për të huajt.Të huajt vizitorë të Shqipërisë ndahen në tre tipologji për nga marrëdhëniet që krijojnë me realitetin që përshkruajnë. Është pak a shumë e njëjta tipologji që përcakton Todorov në librin e tij, "Zbulimi i Amerikës". Kur flet për tipologjinë e raporteve me tjetrin ai vëren se: "ka tre akse rreth të cilit sillet problematika e raporteve me tjetrin. Në radhë të parë ka një gjykim vlerash: tjetri është i mirë ose i keq, është i njëjtë me mua apo është më inferior se unë. Më pas vjen aksioni i afrimit apo i largimit nga tjetri: unë i pranoj vlerat e tjetrit, identifikohem me të, ose e asimiloj tjetrin për vete, i imponoj pamjen time. Mes nënshtrimit ndaj tjetrit dhe nënshtrimit të tjetrit qëndron një mundësi e tretë që është shpërfillja ose ftohtësia ndaj tjetrit. Aksi i tretë ka të bëjë me shkallën e njohjes që kam unë për tjetrin e këtu kemi të bëjmë me një përshkallëzim të pafundmë të shtresave njohëse më të vogla dhe më të mëdha të tjetrit".Pjesa më e madhe e udhëpërshkruesve shqiptarë i përkasin rastit të parë. Ata paraqiten si përfaqësues të një kulture sipërore dhe si misionarë qytetërimi. Ata shkojnë në vende të tjera,(në rastin konkret në Shqipëri) për të gjetur të vërtetën, por shpeshherë në të vërtetë "ata shkojnë për të konfirmuar një të vërtetë të njohur më parë ose për shndërrimin e dëshirave të tyre në realitet". Modeli tipik i tillë është François Pouqueville, i cili në të dy librat e tij, por sidomos në librin e tij të dytë "Udhëtimi i Greqisë" vizaton një imazh të shqiptarëve si primitivë. Ata për Pouquevil-in janë të shëmtuar, të këqij, hajdutë, të ndyrë. Për të hajdutëria e shqiptarëve është e vetmja industri kombëtare. "Sifilizi, kanceri, skrofulla, neurastenia janë të rralla në Shqipëri dhe fort pak të përhapura. Por natyra u ka dhënë sëmundje të tjera: marrëzia, verbëria, epilepsia". Të njëjtin imazh ka për shqiptarët edhe Ibrahim Manzour i cili pasi kishte qëndruar në oborrin e Ali Pashës nga viti 1816 deri në vitin 1819, boton një libër të titulluar "Kujtimet për Greqinë dhe Shqipërinë gjatë sundimit të Ali Pashës". Për këtë studiues shqiptarët s'dinë të bëjnë gjë tjetër veçse "të pijnë duhan, të këndojnë këngë duke bërtitur me sa zë kanë, të flenë shtrirë në diell dhe të kërkojnë morrat me të cilët trupi dhe petkat e tyre janë kurdoherë plot"Një vizatim i tillë i shqiptarëve është pak a shumë i shpeshtë. Edhe pse në shumë raste përshkrime të tilla kanë bazë reale, ato transmetojnë një imazh të gabuar për shqiptarët. Shqiptarët i kanë shumë prej këtyre gjërave që pikasin të huajt, por e njëjta gjë mund të thuhet për kombet e tjera, madje edhe për kombet e qytetëruara evropiane, përfaqësues të të cilëve janë udhëpërshkruesit. Mendoni sikur për të përkufizuar francezët të merrnim parasysh skenat e përshkruara nga Viktor Hygo tek romani i tij "Të mjerët" apo nga Dikensi tek "Oliver Tuisti". Bëhet fjalë për skena të shekullit të 19-të, e pra aty shkruhet për fëmijë që jetojnë në kushtet më çnjerëzore, për njerëz të varfër dhe të pastrehë, për njerëz të pashpirt dhe kriminelë etj. Janë skena që zhvillohen në vendet e zhvilluara shumë vite pas kohës kur shkruan Toqueville apo Henry Holland. Nëse imazhi i këtyre vendeve do të ndërtohej vetëm mbi këtë bazë informacioni atëherë merret me mend se ç'përfytyrim do të krijohej për këto vende. Ndryshimi mes dy rasteve qëndron në faktin ndërsa për vende të vogla si Shqipëria imazhi përcaktohet së jashtmi, për vende si Franca, Gjermania apo Anglia imazhi krijohet së jashtmi dhe së brendshmi, por kryesisht së brendshmi. Është pak a shumë i njëjti ndryshim që vërehet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku fati i vendeve të vogla dhe të dobëta përcaktohet kryesisht nga ekuilibri i jashtëm i aktorëve dhe interesave, ndërsa fati i vendeve të mëdha ose i fuqive të mëdha përcaktohet kryesisht nga ekuilibri i brendshëm i forcave dhe aktorëve.Kjo përcakton edhe raportet e komunikimit që krijohen mes vendasve dhe vizitorëve. Duke e konsideruar Shqipërinë si territor të panjohur ata kanë të njëjtën marrëdhënie që kishte Kolombi me indigjenët e Amerikës. "I vetmi komunikim efikas që ai (Kolombi), arrinte të kishte me indigjenët - thotë Todorov në librin e sipërpërmendur, mbështetej thjeshtë në njohjen e yjeve si në rastin kur me një gjest të denjë për Tintin (një personazh filmash vizatimorë francezë), përfitonte nga rasti për të njohur më parë datën e një eklipsi të hënës. I mbetur që prej tetë muajsh në bregdetin xhamajkian, ai nuk po arrinte t'i bindte më indigjenët që ta furnizonin me ushqime. Për këtë i kërcënon ata se do t'u vjedhë hënën, dhe mbrëmjen e 29 shkurtit 1504, fillon ta vejë në zbatim kërcënimin e tij... Suksesi qe i menjëhershëm". Më tej ai vazhdon: "Kolombi flet për njerëzit që sheh vetë, sepse ata janë pjesë e peizazhit". Prandaj nuk të bën përshtypje pse Kolombi e mbyll përshkrimin e indianëve i çuditur se edhe pse ata rrinë zhveshur, ngjajnë më shumë me njerëzit se me kafshët.Kemi këtu një rast shembullor se si i ardhuri, ka përparësinë e njohjes së sistemit të vlerave që orienton jetën e përditshme të banorit vendas. Kjo njohje i shërben atij për ta vënë në një pozitë të pabarabartë vendasin, pasi ai nuk i njeh vlerat e tij. Në këtë rast kemi një përballje të pabarabartë të dy vetjeve ku njëri prej tyre "i ardhuri" pasi e ka njohur një vlerë të tjetrit e përdor atë kundër tij.Në ndryshim nga këta udhëpërshkrues kemi një kategori tjetër që qëndrojnë disa më neutralë apo që kërkojnë të bëhen pjesë e vendeve që vizitojnë. "Fillimisht kur erdha në Shqipëri- thotë baroni Nopça, do të kisha zgjedhur që ta shmangia veshjen e kostumit kombëtar shqiptar, pastaj i thashë vetes se kjo do të forconte dyshimin e njerëzve se unë kisha ndërmend diçka të veçantë. Përveç kësaj si një shenjë frike do ta kishte dëmtuar figurën time. Por më vonë, kur të gjithë më njohën, më thoshin se unë prej qëndrimit të gjatë në malësi isha bërë një malësor i vërtetë, kësisoj mendoja se mund t'ia lejoja vetes një luks të tillë". Në këtë rast tjetri e ndërton raportin jo nga distanca kulturore e qytetërimit apo kulturës së tij, por së brendshmi, dhe kjo sjell si rezultat një njohje më të mirë dhe përshkrim më objektiv të tjetrit. Në skajin ekstrem të kësaj marrëdhënie qëndrojnë Edith Durham dhe Lordi Bajron. Edith Durham-i sidomos, identifikohet aq shumë me kulturën dhe popullin shqiptar sa merr tërësisht anën e tij. "Shqiptarët, ndryshojnë shumë nga të gjithë popujt e Ballkanit, shkruan Durham. Nga pamja u bëjnë të gjithëve përshtypje të mirë. Turku madhështor me të cilin habiten turistët e agjencisë Kuk në Stamboll, është pothuaj gjithnjë shqiptar. Shqiptar është edhe kafazi besnik e i ndershëm që e ruan. Kur takon dikë që të lëvdon fizikun e mrekullueshëm të ushtrisë turke merr vesh se ai ka parë regjimentin shqiptar. Dhe nga gjithë popujt e Ballkanit, vetëm shqiptari është artist. Me personalitetin e tij të pashtruar, ai del gjithnjë mbi të tjerët".Po t'i shohësh përcaktorët stereotipizues që krijojnë imazhin e shqiptarëve së jashtmi mund të vëmë re se ato kur bëhet fjalë për karakterin dhe temperamentin e shqiptar i përkasin së njëjtës fushë semantike. Kështu shqiptarët janë trima, krenarë, të panënshtruar, të egër, barbarë, vrasës. Për disa janë primitivë, për disa të panjollosur nga qytetërimi, të sinqertë. Për disa janë luftëtarë lirie, për disa kusarë dhe hajdutë. Sipas predispozitës shpirtërore, kulturore apo ideologjike dikush i shikon si trima, dikush si të egër, njëri si të paprekur nga qytetërimi, tjetri si barbarë. E njëjta gjë ndodh edhe me përshkrimin fizik. Konti de Gobineau, autori i famshëm i librit "Ese për pabarazinë e racës njerëzore", libër që shërbeu si bazë e teorive racore të regjimit hitlerian e përshkruan kështu racën shqiptare "Një shtat i gjatë i përpjesëtuar mirë, një skelet i fortë, vija të theksuara dhe një fytyrë kockore". Të tjerët i përshkruajnë shqiptarët si të shkurtër, me tipare të deformuara etj. Kemi të bëjmë me një ndërtim ideologjik të imazhit të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Secili sipas qëllimeve, qasjes dhe predispozitës, sipas paragjykimeve kulturore dhe ideologjike, sipas detyrave politike shkruan portretin e shqiptarit. Deri në një periudhë shqiptarët vetëm sa u ekspozojnë të huajve dhe madje arrin në një pikë kur për këtë bëhen të vetëdijshëm jo vetëm elitat por edhe banorët e thjeshtë. "Çuditeshim me optimizmin e këtyre njerëzve kur na falënderonin pse u thoshim se do të shkruajmë të vërtetën", shkruan John Gordon në librin e tij "Dy vagabondë në Shqipëri", të botuar në vitin 1927, në Londër.Për arsyet që përmendëm më sipër shqiptarët kanë filluar të mendojnë vonë për krijimin e asaj që në imazhologji quhet autoimazh. Në fakt imazhi i vërtetë i një vendi, kulture apo populli krijohet në një lojë force mes imazhit dhe autoimazhit. Kjo lojë është një ndërthurje e shumë elementëve kulturorë, ideologjikë dhe sidomos gjeopolitikë. Çdo popull dhe kulturë në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme e ka një strategji të krijimit të imazhit të vet ose të përmirësimit të tij. Për shqiptarët kjo strategji fillon me autorët e Rilindjes dhe të romantizmit arbëresh. "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e çdo të bëhet", është punimi i parë sistematik në këtë fushë. De Rada më parë se ai, nëpërmjet veprës së tij letrare kishte të njëjtën strategji të krijimit të autoimazhit, porse në ndryshim nga Sami Frashëri, ai e kërkon këtë me mjete letrare. E me radhë Elena Gjika e të tjerë. Kjo fazë përkon me një fazë të rëndësishme historike: krijimin e kombit shqiptar. Nëse puna kryesore identifikuese e shqiptarëve deri në periudhën e Rilindjes ishte bërë nga të tjerët, në këtë fazë me procesin e formimit të kombit fillon edhe procesi i krijimit të autoimazhit.I diktuar nga faktorë kryesisht politikë ky proces do të shoqërohet me përpjekjet e të tjerëve për ta mbajtur supremacinë e imazhit mbi autoimazhin. Pika kulmore e kësaj përpjekje është botimi i librit "Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha" të historianit serb, Vladan Gjerogjeviç, në vitin 1913. Nga vetë data e botimit kuptohet cili është qëllimi i tij. Si model teksti imazhologjik ai është model i tekstit të ndërtuar mbi stereotipat negative. Në vitin 1919, Lumo Skëndo pikërisht para një akti tjetër të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve si Konferenca e Paqes që do të rikonfirmonte ekzistencën e shtetit shqiptar boton një libër si kundërpërgjigje të tij. Botimi i librit të Mit'hat Frashërit shënon edhe fazën e vetëdijesimit për nevojën e krijimit të autoimazhit. Më vonë në vitet '20-'30, kjo do të shndërrohet në një strategji ideologjiko-kulturore dhe shtetërore. Libri i Cabejt "Për gjenezën e literaturës shqipe", i botuar në vitin 1938-1939 tek "Ylli i Dritës", "Raca Shqiptare" e Jakov Milajt e botuar në vitin 1940, apo libri "Të drejtat e Shqipnisë etnike", botuar në vitin 1943 nga revista "Leka" janë edhe përpjekjet më të mëdha të krijimit të autoimazhit të shqiptarëve. Megjithëkëtë edhe sot e kësaj dite për Shqipërinë, imazhi i krijuar nga të tjerët është më i fortë se autoimazhi dhe kjo është një pengese fortë në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën.