E Shtunë, 31 Tetor 2026

(K)urim p

• Edmond TupjaTradicionalisht, me afrimin e festave të fundvitit gëlojnë urimet nga të gjitha anët: na urojnë motra e vëllezër, kushërira e kushërinj të afërm e të largët, shoqe e shokë, mikesha e miq, kolege e kolegë, të njohur, madje nganjëherë edhe të panjohur. Me gojë (telefon, celular e internet) dhe me shkrim (kartolina, mesazhe elektronike e SMS). Urimet, pra, na janë bërë të domosdoshme si ajri, uji dhe buka që konsumojmë çdo ditë. Madje, kur dikush nga rrethi ynë familjar, shoqëror apo profesional, nuk na uron, nisim e shqetësohemi se mos i ka ndodhur gjë, se mos i ka mbetur hatri prej nesh. Herë-herë, për njerëz të caktuar, urimet shfaqen si një lloj terapie: të japin rastin të pajtohesh ose të afrohesh me dikë, ta marrësh me të mirë shefin, drejtorin apo edhe ministrin (sidomos kur këto urime i shoqëron edhe me dhurata). Me sa duket, pra, të gjithë paskemi nevojë për urime (sigurisht, për arsye të ndryshme): si ajo/ai që, falë tyre, ndihet shpirtërisht më pak e/i vetmuar, ashtu edhe ajo/ai që fiton më shumë siguri nga një pikëpamje thjesht pragmatiste. Më hollësisht, jam i mendimit se kemi nevojë jo vetëm të marrim urime, por edhe të japim. Në fakt, kam njohur njerëz që jepnin urime me rastin e festave të fundvitit ngaqë e dinin fort mirë se kjo ishte e vetmja mënyrë për të marrë të tilla nga njerëz që nuk do t'u kishin dërguar vetë të parët. Sidoqoftë, mirë është edhe të çosh urime, edhe të marrësh, sepse kështu, në fund të fundit, ndërton marrëdhënie.Sot, nga kjo rubrikë, do të kisha shumë dëshirë t'u dërgoja urime shumë e shumë njerëzve, por kjo do të zinte një faqe të tërë gazete, çka me të drejtë nuk do të më lejohej. Prandaj do të bëj një urim vetëm për klasën tonë politike, e djathtë dhe e majtë shkartisur bashkë. Një urim në formë kurimi (çka shpjegon edhe titullin e këtij shkrimi). Shpresoj që ajo ta mirëpresë (k)urimin tim, sepse, në gjendjen ku ndodhet sot, ka nevojë të madhe, sipas mendimit tim modest, edhe për urim, edhe për kurim.Ka nevojë për urim, sepse, ashtu siç është, me cilësitë e saj të pakta dhe mangësitë e saj të shumta, drejton vendin dhe ka në duar fatet e njeriut shqiptar. I uroj më pak papërgjegjshmëri, më pak mllef, më pak konfliktualitet, më pak babëzi përfitimesh vetjake, më pak korrupsion. I uroj, pra, më shumë ndershmëri, më shumë sinqeritet, më shumë idealizëm. I uroj të tregohet më e vëmendshme ndaj njeriut shqiptar, i cili pret prej shekujsh të jetojë më denjësisht. I cili, deri tani, është  i zhgënjyer nga ajo. I cili ka ndjesinë, bilé bindjen se ajo po e sorollat, po e mashtron.Ka nevojë për kurim, sepse, ashtu siç është e duket se do të jetë edhe për ca kohë (një vit, dhjetë vjet, njëqind vjet?), me viruset që ka në trup e në shpirt, ajo po mban peng të tashmen e njeriut shqiptar dhe po komprometon të ardhmen e tij, duke e detyruar atë ta kthejë nganjëherë vështrimin me nostalgji nga e kaluara e përgjakshme komuniste, të cilën ai e flaku me guxim në fillim të viteve '90. Ka nevojë për kurim jo në klinika të hipersofistikuara jashtë shtetit, por në zonat e thella malore ku ende ekziston skamja; në zonat fushore e sidomos në zonat periferike të qyteteve ku ende ka kontraste të dhimbshme ekonomike e socialkulturore; te familjet e varfra edhe në zemër të Tiranës, te pensionistët, fëmijët e rrugëve, gratë e vajzat e dhunuara, e trafikuara, te të miturit e abuzuar seksualisht, te të rinjtë që tentojnë të vetëvriten, te të sëmurët me sida, madje edhe te vjedhësit, grabitësit e të burgosurit, me një fjalë, te të gjithë ata që kanë humbur vetveten ose ende nuk e kanë gjetur atë. Vetëm atje klasa jonë politike do të mund t'i bëjë një skaner të dobishëm ndërgjegjes së saj laramane. Ky kurim dhe vetëm ky do t'i japë mundësi asaj të rifitojë deri diku besimin e njeriut shqiptar, të rraskapitur e të neveritur deri atje ku nuk mban më.Ah! - do të më thoni ju, të dashur lexues të ndjeshëm, por edhe objektivë të rubrikës sime - si shumë pesimist qenkeni gdhirë sot, zoti Tupja. Keni të drejtë, ndoshta. Megjithatë, lejomëni t'ju përgjigjem ashtu siç nuk e kam zakon të përgjigjem në raste të tilla: me një citat. Një citat të frëngut Emile Henriot (1889-1961), sipas të cilit duhet të kemi "pesimizmin e pamëshirshëm të mendjeve të kthjellëta që shohin qartë dhe guxojnë të nxjerrin përfundime".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›