Imeraj: Berisha të publikojë letrën me ankesa për SHBA

Tiranë, 15 gusht, NOA Partia Socialiste ka kërkuar sot nga kryeministri Sali Berisha që të publikojë letrën sekrete të dërguar në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj është shprehur se qytetarët shqiptarë me anë të kësaj letre do të kuptojnë se cilat janë ankesat që janë hedhur poshtë nga Uashingtoni.
Ne i kërkojmë Berishës të zbardhë përmbajtjen e letrës ankesë të dërguar në departamentin e shtetit. Çfarë shkruhej në atë letër? Cilat ishin akuzat që ajo përmbante? Përse fshihet kjo letër dhe mbahet sekret nga sytë e publikut? Cilat ishin akuzat e Ilir Metës dhe Sali Berishës të hedhura poshtë nga departamenti amerikan i shtetit?, u shpreh Imeraj.
Imeraj u shpreh se pas njohjes me letrën e dërguar nga DASH, që i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare për krizën politike dhe ndërhyrjen e ekzekutivit mbi pavarësinë e institucioneve të ndryshme, si gjykata dhe ShISH është bërë publike dhe një tjetër letër sekrete të nisur nga Ministri i Jashtëm Ilir Meta, ekzistenca e të cilës mohohet nga përfaqësuesit e qeverisë.
Imeraj u shpreh se vetëm transparenca mbi këtë letër do të tregonte të vërtetën.
NOA