Impianti i ujërave të zeza në Himarë, në funksion të plotë, Tavo: Një ndër investimet më të rëndësishme

Impianti modern i ujërave të zeza në Himarë, i testuar që prej vitit të kaluar, ka hyrë tashmë në funksion të plotë. Në një intervistë në emisionin “Mirmëngjes Shqipëri”, kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo tha se ky investim mbulon thuajse të gjithë territorin e Himarës, duke garantuar se nuk do të ketë derdhje as në periferi të qytetit.
Tavo e cilësoi këtë si një nga projektet më të rëndësishme të viteve të fundit, duke theksuar se është një investim i qeverisë dhe aktualisht ndodhet në periudhën e garancisë deri në nëntor 2026. Pas kësaj periudhe, menaxhimi i impiantit do t’i kalojë bashkisë.
“Impianti i ujërave të zeza në Himarë është testuar që vitin e kaluar, tashmë është në funksion të plotë,. Mbulon thuajse të gjithë territorin e Himarës dhe nuk do të ketë absolutisht asnjë derdhje as në periferitë e Himarës. Është një investim i madh, ndër më të rëndësishmit që janë kryer në Bashki në këto vite. Është investim i qeverisë. Është në periudhë prove, periudhën e garancisë, ku kompania ndërtuese është përgjegjëse deri në nëntor të 2026 dhe më pa si kalon bashkinë për ta menaxhuar. Ka qene investimi më i domosdoshëm për Himarën. Ujërat e zeza kanë qenë shqetësim”, tha ai.
Përveç impiantit kryesor, Tavo tha se janë ndërtuar edhe impiante më të vogla në fshatin Gjilek, që mbulojnë zonat e Palasës dhe Dhërimadhes. Ndërkohë, është planifikuar ndërtimi i një impianti në Dhërmi, si dhe janë miratuar fondet për impiantin e Qiparoit.
“Impiante të ngjashme, por më të vogla në kapacitet janë ndërtuar në fshatin Gjilek që mbulon pjesën e Palasës dhe Dhrimadhes. Është planifikuar të ndërtohet edhe në Dhërmi. Bashkia e Himarës ka miratuar fond për ndërtimin e impiantit të Qiparoit dhe po planifikohet për të ndërtuar impiantin e Borshit”, u shpreh ai.
/rtsh.al/