Imponim për braktisje

Asnjëherë Egzon Rama nuk e kishte menduar që sherri i asaj dite i cili plasi mes tij dhe shokut të klasës, do të bëhej shkas që ajo të ishte dita e fundit që këmba e tij do të shkilte në klasë. Do të ishte e fundit edhe sa i përket procesit të tij të edukimit. Egzoni i përket komunitetit ashkali dhe tani është 14 vjeç. Ai ishte duke vijuar mësimet në klasë të gjashtë në shkollën fillore ‘Selman Riza’ në Fushë Kosovë kur siç pretendon ai, kujdestari i klasës Ruzhdi Krasniqi e ka përjashtuar nga shkolla për shkak të atij sherri, shkruan IP Magazinë.
“Jam nguc me një djalë, e kam rre tani ai i ka tregu arsimtarit. Arsimtari më pas më ka thënë shko në shpi mos hajde ma dhe shko në provime”, thotë Egzoni i cili pas asaj dite më nuk ishte kthyer asnjëherë në shkollë.
Përjashtimi i Egzonit nga shkolla bie në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës. Neni 3 pika 1 specifikon se e drejta për arsimim është e barazvlefshme për të gjithë: “Asnjë personi nuk guxon ti mohohet e drejta për arsimim”.
Egzonit ende i rrijnë në vesh fjalët e kujdestarit, por edhe më shumë se to, stigma nga nxënësit tjerë të shkollës. Fyerjet e njëpasnjëshme dhe cilësimi “magjup” i kishin ardhur në maje të hundës. Disa plasaritje i vërehen në duar gjatë kohës sa shpjegon arsyet e largimit nga shkolla. Tani, ai gjatë tërë ditës punon për të mbajtur familjen. Do të dëshironte të ishte në shkollë por Egzoni tashmë ka kthyer një tjetër faqe në jetën e tij, atë të punëve fizike për të siguruar bukën e gojës.
Teksa rrëfen për historinë e tij të shkurtë brenda mureve të shkollës, Egzoni kohë pas kohe ndërpritet nga e ëma Naxhije Rama e cila shprehet shumë e indinjuar për faktin se birit të saj i është mohuar e drejta për të shkuar në shkollë. Megjithatë, kryefamiljarja pranon se nuk ishte ankuar tek drejtori pasi që edhe Egzoni më nuk dëshironte të kthehej në shkollë.
“Shumë po ka probleme qaty. Fëmijët tonë nuk po i mësojnë njësoj, veç i kalojnë me nota të ulëta. Egzonin që e ka përzënë arsimtari ajo nuk është e drejtë. Kam dashtë me shku me fol me drejtorin por kam probleme shëndetësore dhe nuk kam mujt por edhe djali nuk ka dashtë me u kthy në shkollë”, thotë Rama për IP Magazinë.
Në familjen Rama, e vetmja e cila aktualisht vijon mësimet në shkollën fillore ‘Selman Riza’ është njëra nga vajzat e cila ka përfunduar klasën e katërt.
Traditat mbi shkollimin
Arsye tjera të braktisjes së shkollimit janë edhe ato që lidhen me traditat familjare. Veçanërisht nxënëset femra, në të shumtën e rasteve përfundojnë vetëm shkollën fillore për t’iu përkushtuar më pas punëve shtëpiake dhe familjes.
“E kam lënë shkollën sepse e kam pas nënën sëmurë dhe më është dashtë me i ndihmu”, thotë Rabije Murtezi e cila tani pjesën më të madhe të kohës e kalon duke kryer punët e shtëpisë. Mirëpo, sipas vëllait të saj, kjo nuk është arsyeja kryesore. Ai insiston se vajzat në familjen e tyre përfundojnë vetëm shkollën fillore sepse ashtu e parashohin rregullat familjare.
“Kështu e kemi zakon. Edhe qika e axhës e ka lanë shkollën e tash rrin në shtëpi”, thotë Rrahman Murtezi.
Shkolla fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë ka më shumë se 2000 nxënë, 523 nga ta janë të komuniteteve pakicë- romë, shkali e egjiptas.
Ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet ky institucion arsimor është braktisja e shkollimit nga komunitetet dhe mungesa e tyre në procesin mësimor. Raste të tilla janë mjaftë të shpeshta. Sipas drejtori të shkollës, Sahit Dragusha, braktisja e shkollimit nga ana e komuniteteve ndodh në të shumtën e rasteve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën për arsye të ndryshme. Megjithëkëtë, Dragusha insiston se ata trajtohen në mënyrë të barabartë ani pse, siç shprehet vetë ai, “nuk është edhe aq e lehtë të punohet me ta”.
Dukagjin Pupovci, ekspert i edukimit nga Qendra Kosovare e Arsimit, braktisjen e shkollimit nga ana e komuniteteve e arsyeton me gjendjen e vështirë ekonomike. Por sipas tij, edhe shteti ka mundësi shumë të kufizuara për të siguruar mirëqenien sociale të familjeve të varfra që shkollojnë fëmijë.
“Komunitetet RAE kanë shkallën më të lartë të varfërisë se çdo komunitet tjetër në Kosovë, prandaj është e pritshme që braktisja e shkollimit të jetë më e lartë”, shprehet Pupovci.
Brengosës sipas tij është fakti se shkollimin e mesëm të lartë e vijojnë vetëm 23% të fëmijëve RAE të moshës 15-18 vjeçare. Kjo lë të kuptohet se 77% mbeten pa shkathtësi të nevojshme për tregun e punës prandaj, edhe familjet e tyre vështirë dalin nga qarku magjik i varfërisë. Në ‘Selman Riza’ nxënësit shqiptarë dhe ata të komuniteteve mësojnë në klasë të kombinuara ndërkaq mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Mospërputhja e moshës krahasuar me klasën që nxënësit vijojnë është fenomen i shpeshtë në këtë shkollë. Kjo ndodh për shkak që disa nga ta regjistrohen vonë.
Mst: Na quajnë “magjupë”
Brenda mureve të klasave gjithçka duket se funksionin në rregull. Bankat janë të strukturuara në grupe në atë formë që secili grup është i përbërë prej gjashtë nxënësve, shqiptarë dhe të komuniteteve. Secili grup mban nga një emër si “Flutura”, “Miqësia” dhe udhëhiqet nga njëri nxënës i grupit që për të tjerët njihet si “kryetar”. Çfarë bie në sy është se në asnjërin nga grupet, nuk ka kryetar nga komunitetet pakicë. Një “epitet” të tillë e gëzojnë vetëm nxënësit shqiptarë e megjithatë ata insistojnë se ia kalojnë shumë mirë me shokët e tyre nga minoritetet. Sipas tyre, nuk ka asnjë lloj dallimi.
“ E kam përjetu vetë diskriminimin. Gjithmonë na kanë ulë në banka të fundit. Për këtë arsye, nuk kam deshtë qe edhe fëmijët tanë të përjetojnë të njëjtën gjë. Drejtori më ka premtu dhe me ka thënë që do të shohim e të bëjmë diçka por janë bërë dy tri vite dhe asgjë s’ka ndërmarrë në mbrojte të të drejtave tona përveç se kur ka ndonjë organizim ose vizita, i marrin fëmijët dhe i qesin në bankë të parë”, thotë Hysni Hasani i cili kujton periudhën kur vetë kishte qenë nxënës i shkollës ‘Selman Riza’.
Ai është pjesë e organizatës ‘The Ideas Partnership’ objektivat kryesore të së cilës në kuadër të fushëveprimit përfshijnë edhe integrimin e fëmijëve të komunitetit në shoqëri, shkollimin e tyre në mënyrë vullnetare që zhvillohet në objektin e organizatës në Fushë Kosovë. Ai ka dy fëmijë që aktualisht vijojnë mësimet më ‘Selman Riza’ dhe thotë se përkujdeset deri në maksimum që ata të mos përjetojnë të njëjtën gjë që ka përjetuar vetë ai sa ishte nxënës. Teksa brenda mureve të shkollës gjithçka duket se po shkon sipas rregullave, në oborrin e saj shpalosen të pathënat. Gjatë pushimeve të gjata apo orës së edukatës fizike, nxënësit shpërndahen ne grupe në oborr për biseduar apo lozur.
Jetmir Arifi, nxënës i kësaj shkolle tregon se njëherë kishte braktisur shkollimin sa ishte në klasë të parë e më pas është kthyer sërish. Ai së bashku me të vëllain, Naxhmirin thonë se shpeshherë vihen pre e provokimeve dhe ngacmimeve të nxënësve shqiptarë.
“Shqiptarët po nga ngucin. Po na quajnë magjup”, shprehet Naxhmiri, nxënës i klasës së shtatë i cili numëron disa raste ku janë përfshirë madje edhe në sherr fizik me nxënësit shqiptarë e në ato raste nuk është se është ndërmarrë diçka nga personeli i shkollës.
“Është botërisht e njohur se ndaj komuniteteve RAE ekzistojnë paragjykime që ndonjëherë eskalojnë në diskriminim të hapur. Ka pasur disa shembuj jo të mirë të segregacionit të fëmijëve të komuniteteve RAE në shkollat tona, e kjo paraqet një formë të diskriminimit ndaj tyre.” thotë eksperti i edukimit, Dukagjin Popovci kur flet për diskriminimin që u bëhet nxënësve të komuniteteve RAE.
Sipas Nenit 4, pika 1 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, të gjithë personat e punësuar në institucione arsimore, të themeluara sipas këtij ligji, do të ndërmarrin të gjithë hapat e arsyeshëm që të sigurojnë se nxënësit dhe punonjësit nuk lëndohen apo u ekspozohen fjalëve dhe veprimeve fyese.
Ligjet nuk po gjejnë zbatim
Megjithëse ekzistojnë ligjet që i mbështesin komunitetet për shkollim, ato nuk është se po gjejnë edhe aq zbatim në praktikë. Nëse mirret shembull shkolla ‘Selman Riza’, nxënësit e komuniteteve pakicë nuk trajtohen barabartë me ata të shumicës.
“Kosova, si dhe vendet tjera të Ballkanit, nuk është ndonjë shembull i shtetit ku sundon ligji” ndan mendim eksperti Popovci.
Sipas tij, këta fëmijë kanë nevojë për mbështetjen e shtetit dhe mbikëqyrje nga shoqëria, sepse një e tillë u mungon nga familja, e cila është e preokupuar me çështje ekzistenciale. Mirëqenia e komuniteteve RAE, si dhe e të gjithë qytetarëve, është në interesin më të mirë të shtetit dhe të shoqërisë. Njerëzit që mbarojnë shkollën sipas Popovcit janë në gjendje ta mbajnë familjen e vet nuk bëhen barrë e shoqërisë. E në anën tjetër, drejtori i shkollës ‘Selman Riza’ insiston se ligjet po zbatohen dhe komunitetet po trajtohen barabartë në shkollën të cilën ai drejton.
“Ne i trajtojmë në mënyrë të barabartë sikurse edhe nxënësit shqiptarë”, thotë z. Dragusha.
Infrastrukturë e shkatërruar
Në institucionin që Dragusha e drejton, problemet nuk lidhen vetëm me komunitetet. Shkolla ka një infrastrukturë të vjetruar dhe në disa prej klasave ka nga 40- 50 nxënës. “Kemi kërkuar më shumë paralele por Ministria nuk na ka lejuar”, thotë Dragusha.
Përkundër kushteve të vështira, rezultati i përgjithshëm i shkollës fillore ‘Selman Riza’ qëndron më mirë krahasuar me shkolla e tjera që gëzojnë kushte më të mira Testi i kalueshmërisë në këtë shkollë arrin 63.07%. Megjithatë, sfida më e madhe për udhëheqësinë e shkollës është integrimi i fëmijëve të komuniteteve në sistemin arsimore dhe sigurimi i të drejtave të barabarta për ta. Aktualisht, në shkollën fillore ‘Selman Riza’ 33.7% të nxënësve janë nga komuniteti RAE, prej tyre 465 ashkali, 45 egjiptas, 10 romë dhe një boshnjak./Indeksonline/