Importi, shkurtohet me 26 mbetje lista e gjelbër

Mediu gjatë një takimi me grupin e punës
Reduktohet lista e gjelbër. Ministria e Mjedisit, në një takim me grupet e interesit, miratoi shkurtimin e listës së mbetjeve që lejohen të importohen nga 56 në 30 lloje. Pas konsultimeve me ekspertët është rënë dakord të përjashtohen mbetjet me përmbajtje qeramike, organike, agro-ushqimore, përpunimet e lëkurës, tekstile dhe guri gëlqeror, të cilat paraqesin rrezikshmëri dhe nuk kontrollohen në doganë. Vetë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka pranuar se kontrolli i këtyre mbetjeve është i vështirë. Qëllimi ynë është që të eliminojmë qoftë edhe mundësinë më të vogël të atyre lëndëve që përbëjnë një rrezik të shtuar për shëndetin e njerëzve, ndonëse lista e gjelbër është totalisht e parrezikshme, ndërkohë që BE, në përbërjen e listës së gjelbër ka plot 360 lloj mbetjesh, deklaroi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Ai sqaroi më tej se janë duke u parë mundësitë për të eliminuar mbetjet, të cilat edhe kur përpunohen, nxjerrin mbetje të tjera, por ndërkohë edhe nuk kanë tërhequr vëmendjen e ricikluesve. Në mënyrë absolute është i ndaluar importimi i mbetjeve urbane, u shpreh ministri Mediu para të pranishmëve. Deri tani është firmosur nga qeveria vetëm një leje importi, edhe ajo është skrapin. Ne do të vazhdojmë të ruajmë me fanatizëm procedurën e dhënies së lejeve të importit, e cila duhet të firmoset nga Këshilli i Ministrave. Megjithatë, në momentin që Shqipëria do të jetë pjesë e familjes të madhe europiane, kjo procedurë do të thjeshtësohet duke bërë lejet për importin ti firmosë ministri, ashtu siç e kanë praktikën edhe vendet e BE-së, të cilat nuk e konsiderojnë një problem kaq madhor importin e mbetjeve, siç është trumbetuar në Shqipëri, qoftë edhe me keqdashje nga organizata dhe individë të ndryshëm, theksoi në fjalën e tij ministri Mediu. Në këtë kontekst, ministri Mediu u shpreh se është hera e parë që çështja e importit të mbetjeve trajtohet me kaq përparësi, duke ndjekur të gjitha standardet dhe ligjet europiane, ndërkohë që prej vitit 2003 në Shqipëri futeshin mbi 400 lloje mbetjesh. Gjithashtu, gjatë këtij takimi, ministri Mediu shprehu nevojën që të bëhet sa më shpejt një vlerësim strategjik mjedisor nga aktorë të pavarur, në mënyrë që të shikohet në kohëzgjatje efekti i importit të lëndëve të para për përpunim. Shoqata e Ricikluesve ka kërkuar ndryshimin e listës së gjelbër çdo vit për ta përshtatur me kërkesat e industrisë. Gjatë këtij takimi ka pasur debate edhe mbi lejet që disa subjekte kanë kërkuar të marrin në Ministrinë e Mjedisit për këtë biznes dhe që nuk janë dhënë. Ministri i Mjedisit ka saktësuar se bëhet fjalë për një leje të një biznesi, i cili kërkonte të bënte kontrabandë.