Të pastrehët, opozita: Pjesë e ligjit, banesat e ish-pronarëve

Nga mbledhja e fundit e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese
Programet sociale, debate në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.
Blendi Klosi: Sjanë trajtuar. Gjana: I përkasin tjetër ligji.
Zgjerim i kategorive ekzistuese që përfitojnë nga programet sociale të strehimit. Për maxhorancën, ndryshimet e bëra në ligjin Për programet sociale për strehimin e banorëve në zonat urbane, synojnë tu vijnë në ndihmë shtresave në nevojë.
Ato u prezantuan dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Sot pritet që projektligji të diskutohet nen për nen. Opozita shprehu rezervat e saj lidhur me këto ndryshime, duke deklaruar se ato nuk zgjidhin problemin e banorëve të strehuar në banesat e ish-pronarëve. Çfarë zgjidhje do të jepet për ata që jetojnë në banesat e ish-pronarëve kundrejt një qiraje minimale? Në ligj nuk trajtohet fare ky problem, tha deputeti i majtë, Blendi Klosi. Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, tha se kjo kategori trajtohet në një tjetër ligj dhe e cilësoi këtë kërkesë si të pavend. Deputeti i majtë, Eduard Shalsi, kërkoi sqarime lidhur me penalitetet e mundshme që përmban ligji për përfituesit nga këto programe kur ata përzgjidhen jo në përputhje me kushtet e vendosura. Po kështu, deputeti i majtë, Besnik Bare, kërkoi sqarime nëse ligji parashikon kthimin apo përjashtimin nga lista të rasteve ku ligji nuk është zbatuar. Në përgjigje të këtyre kërkesave, deputeti i djathtë, Jemin Gjana, tha se momentalisht ligji është ende i pamiratuar, ndaj dhe dihet që nuk mund të ketë efekte prapavepruese. Ndryshimet në ligj parashikojnë shtimin e tri kategorive të reja të përfituesve. Bëhet fjalë për emigrantët e rikthyer, familjet e policëve të rënë në detyrë dhe viktimat e dhunës në familje Po kështu ka ndryshuar tërësisht llogaritja e nivelit të të ardhurave mesatare që duhen për tu bërë pjesë e listës së përfituesve. Në projektligj janë saktësuar të gjitha detajet për mënyrën si do të zbatohen dy projektet e strehimit, ai i banesave sociale me qira dhe ai i kreditimit të lehtësuar për banesa me kosto të ulët. Janë saktësuar konceptet e të ardhurave familjare dhe ato mesatare. Jo më pak se 80% e familjeve që trajtohen në banesa sociale me qira, duhet të kenë të ardhura deri në 100% të të ardhurave mesatare të njësive vendore përkatëse, thuhet në vendim. Sipas tij, pjesa tjetër mund të përzgjidhet brenda intervalit 100%-120% të nivelit të të ardhurave mesatare. Kjo kategori paguan një qira më të lartë se kategoritë e tjera, por jo më shumë se 30% të të ardhurave mujore. Është shtuar koncepti i granteve, si dhe kushtet e kategorive që i përfitojnë. Janë specifikuar gjithashtu kriteret e nevojshme për të përfituar, si dhe një nen i veçantë (neni 7) që garanton transparencë lidhur me dokumentacionin dhe procedurën që do ndiqet nga njësia vendore për përfituesit. Për herë të parë, në ligj është futur një koncept i ri për standardet e administrimit të banesave. Sa i përket programit të banesave sociale me qira është shtuar një pikë e re për lidhjen e kontratave. Në fund të periudhës së qiramarrjes, pronësia e banesës i kalon familjes përkundrejt kushteve specifike, thuhet në vendim. Ndryshimet e bëra parashikojnë nxjerrjen e akteve të tjera në vijim nga Këshilli i Ministrave, për të përcaktuar procedurat e dhënies së bonusit të strehimit për kategori të veçanta.
Ndryshimet ne ligj
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
1-Përzgjedhja e familjeve përfituese bëhet sipas një sistemi pikëzimi, me anë të të cilit vlerësohen:
kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:
nuk disponojnë banesë në pronësi;
banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;
banojnë në banesa të mbipopulluara sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;
kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore ose zbatim të një vendimi gjyqësor.
Përfitojnë:
familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë
të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për tu strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore
Familjet me më shumë se katër fëmijë
Çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç
Personat me aftësi të kufizuara në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave për këto kategori
Personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore në moshën 30 vjeç.
Emigranti i rikthyer, punëtor emigrant
Familjet e policëve të rënë në detyrë
Viktimat e dhunës në familje
Përcaktimi i kufijve të të ardhurave
1-Jo më pak se 80% e familjeve që trajtohen në banesa sociale me qira, duhet të kenë të ardhura deri në 100% të të ardhurave mesatare të njësive vendore përkatëse
2-Pjesa tjetër mund të përzgjidhet brenda intervalit 100%-120% të nivelit të të ardhurave mesatare. Kjo kategori paguan një qira më të lartë se kategoritë e tjera, por jo më shumë se 30% të të ardhurave mujore.
3-Për vitin e parë të zbatimit dhe në mungesë të të dhënave, merret për bazë niveli i të ardhurave të disponueshme dhe të indeksuara me ndryshimin e nivelit të pagave.
Kush perfiton
Do të përfitojnë strehim individët dhe familjet që në momentin e aplikimit nuk kanë në pronësi një banesë, nuk zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje, ose banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi. Po kështu, përfitojnë dhe ata që kanë mbetur të pastrehë si rezultat i një fatkeqësie natyrore.
ZIRINA LLAMBRO