Imuniteti, Berisha: Rama të reflektojë deri më 6 gusht

Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje kryesocialistit Rama që të reflektojë deri më datën 6 gusht dhe të votojë ligjin për heqjen e imunitetit. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri theksoi se opozita po mban peng imunitetin për interesa të një grupi miliarderësh në Partinë Socialiste.
"Për një drejtues nuk mund të ketë kurrë një pengesë që të mos votojë një akt të tillë me të cilin ai u thotë qytetetarëve se ne do jemi të barabartë para ligjit. Unë mendoj se është një mijë herë më mirë që të dëgjosh gjërin e një qytetari të papunë që sot nuk e di se çfarë do ti japë fëmijëve sepse korrupsioni iu merr kafshatën nga goja. Unë nuk mund të gjejë kurrë një motiv për të penguar heqjen e tij. I bëj thirrje Ramës ta mendoj dhe ta rimendojë më mirë se kjo që bën është tmerrësisht e rëndë dhe në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vend. Është një mur që ngrihet në procesin e integrimit dhe në rrafshin njerëzor është gjenerator i korrupsionit, i pabarazisë ndaj qytetarëve. Imuniteti nuk mund të mbrohet sepse shumica erdhi në kushtet që kërkove. Kërkove me ndyshimet në kushtetutë dhe ne e pranuam” theksoi Berisha.
Ai ka theksuar se me heqjen e imunitetit përfiton edhe vetë kreu i opozitës por edhe gjithë shoqëria shqiptare duke u bërë më transparente “Uroj që data 6 ta frymëzoj zotin Rama. Uroj që ai të mendoj për të gjitha ata shqiptarë që sot janë pa punë dhe tek një shoqëri transparente nxitet më shumë punësimi në tërësi, shoqëria bëhet më e drejtë, të drejtat e njeriut bëhen më të garantuara.Klubi i miliarderëve lëshon pallate të tëra e imunitetin nuk e lëshon, por kjo është detyra e drejtuesit që duhet të marrë për bazë interesat e qytetarëve në çdo rast ” shtoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri ka kërkuar sot zbatim të ligjit për kthimin e banesave në adresë të pronarëve të tyre. “Ne u ofrojmë përdoruesve të tyre kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet. Ne kemi mbi 2 vjet që kemi përcaktuar shumën, kemi ofruar kredinë, por diku nuk funksionon se kryetari i bashkisë nuk do e nuk u pyet” tha Berisha.
Sipas tij, ka një mal të turpshëm falsifikimesh mbi to dhe të gjitha duhet të jenë objekt denoncimesh në prokurori. “Përpjekjet për t`u përvetësuar pronarëve shtëpitë janë të jashtëzakonshme. Ligji do parashikojë që nëse brenda një fati të përcaktuar bashkia nuk e zbaton ligjin, do ndërhyjë enti dhe do të zbatojë ligjin. Nuk mund të shkohet më me pronarët në këtë mënyrë” shtoi më tej kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje autoriteteve vendore që të bëjnë gjithçka që tokat e papunuara të territorit të tyre tu jepet atyre që kanë vullent për ti punuar. Sipas tij pronësia nuk humbet po pronarit i jepet një taksë të cilën ai e cilësoi si “taksë e ndershme” e cila ekziston edhe në librat e shenjtë.