E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti Ruci leter ambasadoreve

Kreu i grupit parlametar socialist, Gramoz Ruçi i është drejtuar me një letër ambasadorëve të akredituar në Tiranë dhe kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, në lidhje me mënyrën e shqyrtimit të ndryshimeve në ligjin për imunitetin në seancën e datës 6 gusht.

Letra e siguruar nga Top-Channel nis me një sqarim rreth nenit 83 të Kushtetutës dhe rregullores së amenduar të Parlamentit, në tetor të vitit 1998 për ndryshimet kushtetuese.

"Si ndryshime shumë të rëndësishme dhe një moment vendimtar për demokracinë parlamentare mes ligjbërësve dhe popullit shqiptar, PS i sheh ndryshimet kushtetuese si të një rëndësie të veçantë dhe po ashtu edhe vëmendja duhet të jetë e veçantë për të garantuar një proçes transparent", shkruan Ruçi Të tilla nisma ligjore nuk duhet të jenë të limituara vetëm me përfaqësuesit e partive në Parlament, por është e domosdoshme të përfshihen qytetarët shqiptarë, ekspertët, akademikët, si dhe ndihma ndërkombëtare

Gramoz Ruçi
Kryetar i grupit parlamentar socialist në letër.

Ai thotë se të tilla nisma ligjore nuk duhet të jenë të limituara, ku të kontribuojnë vetëm përfaqësuesit e partive në Parlament, por sipas tij është e domosdoshme të përfshihen mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, ekspertët konstitucionalistë, akademikët, profesorët si dhe ndihma ndërkombëtare për këto çështje. Zoti Ruçi liston në lëtër disa propozime në emër të Partisë Socialiste:

1 - Të mblidhet konferenca e kryetarëve dhe të hartohet një projekt për ndryshimet kushtetuese, për t’i paraqitur në sesionin e ardhshëm plenar të Parlamentit, në shtator, duke i përfshirë në programin e punës së Kuvendit.

2 - Të publikohet ky projekt në faqen e internetit të Parlamentit që qytetarët të kenë mundësi për t’u informuar rreth tij.

3 - Të ftohen grupe të ndryshme interesi për të sjellë opinionet e tyre dhe komentet me propozimet përkatëse për ndryshimet.

4 - Të organizohet një takim mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komitetit të të drejtave të njeriut për të bërë të mundur përçimin tek publiku të draft/propozimeve, duke përfshirë edhe ekspertët konstitucionalistë në proçes.

5 - Projekti me ndryshime t’i dërgohet organeve kushtetuese si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe grupeve të interesit të prekura nga këto ndryshime, që propozohen për t’i lejuar ata të sjellin këndvështrimin e tyre duke shprehur opinionin mbi këtë çështje.

Më herët ishte trojka e ambasadorëve, Arvizu, Sequi dhe Wollfarth, që gjatë një vizite në selinë rozë i bënë thirrje kryetarit Edi Rama që opozita të votojë pro heqjes së imunitetit.

Topalli: Të votojmë për ta hequr

Ndërkohë, në konferencën me temë Standardet e Etikës dhe Kodeve Parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u ndal në mënyrë të veçantë tek nisja e proçedurës në Kuvend për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Duke theksuar se me heqjen e imunitetit, Shqipëria do të hedhë një hap vendimtar në rrugën drejt Bashkimit Europian, Topalli u shpreh:

“Tashmë Kuvendi ka një proçes dhe proçedurë konkrete në këtë fushë. Të njëjtin qëndrim ka ndarë edhe ambasadorja gjermane Karola Holtkemper, e cila u shpeh pro miratimit të kësaj iniciative më 6 gusht në Kuvendin e Shqiperisë”.

Konferenca ishte organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e prezencës së OSBE-së dhe ambasadës gjermane në Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›